Rreth nesh
Shqipëria po zbaton një reformë të thellë të sistemit të drejtësisë duke u kujdesur që legjislacioni të jetë koherent e që institucionet e sistemit të drejtësisë të punojnë me performancë të lartë, të ketë një ndarje të pushteteve dhe të gjithë të trajtohen në mënyrë të drejtë e të barabartë përpara ligjit. Reforma kushtetuese dhe legjislative gjithëpërfshirëse u hartua me qëllim forcimin e integritetit dhe qeverisjes së gjyqësorit në vend.
Në gusht 2016, ndryshimet kushtetuese i hapën rrugë kësaj reforme. Kuvendi miratoi një paketë ligjore e cila mundësoi ngritjen e një strukture të re kushtetuese – Këshilli i Lartë Gjyqësor. Këshilli u krijua për ti mbikëqyrur këto ndryshime dhe për të garantuar një funksionim më të mirë të gjyqësorit në Shqipëri.
KLGJ është e përkushtuar të garantojë një pushtet gjyqësor të pavarur, të paanshëm, transparent dhe efikas që gëzon besimin e publikut dhe që mbështet zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij drejt Bashkimit Evropian.
Disa nga funksionet kryesore të Këshillit të Lartë Gjyqësor janë miratimi dhe zbatimi i planit strategjik për sistemin e gjyqësor dhe raportimi para Kuvendit mbi gjendjen e tij. Ai është përgjegjës për miratimin e standardeve të etikës gjyqësore, rregullave të sjelljes të gjyqtarëve dhe mbikëqyr respektimin e tyre. Këshilli emëron gjyqtarët dhe është përgjegjës për zhvillimin e karrierës dhe disiplinën. Ai i propozon Presidentit të Republikës, kandidatët për Gjykatën e Lartë. Këshilli kujdeset për mirëfunksionimin e shërbimeve të administrimit gjyqësor dhe burimeve njerëzore në gjykata. Ai harton buxhetin vjetor dhe është përgjegjës për mbikëqyrjen e shpenzimeve. Këshilli në ushtrim të funksioneve nxjerr akte, të cilat botohen në këtë faqe interneti në rubrikën Vendime sipas llojit të aktit.
Mbledhja e parë e Këshillit të Lartë Gjyqësor u zhvillua më datë 20.12.2018, me pjesëmarrjen e plotë të 11 anëtarëve të tij (5 anëtarë jo-gjyqtarë të zgjedhur nga Kuvendi dhe 6 anëtarë gjyqtarë të zgjedhur nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve). Në këtë mbledhje u zgjodh Kryetarja dhe Nënkryetari i tij. Informacion rreth përbërjes së Këshillit dhe anëtarëve të tij gjendet më poshtë në këtë faqe.
Këshilli i Lartë Gjyqësor realizon funksionin dhe misionin e tij nëpërmjet mbledhjes plenare dhe Komisioneve. Komisionet e Këshillit organizohen në të përhershme dhe të përkohshme. Informacion më i detajuar rreth Komisioneve, përbërjes, organizimit dhe veprimtarisë së tyre gjendet më poshtë. Në ndihmë të Këshillit funksionon edhe administrata, struktura e së cilës publikohet më poshtë.
Mbledhja plenare e Këshillit të Lartë Gjyqësor mbahet sa herë të jetë e nevojshme por jo më pak se një herë në muaj. Mbledhja plenare dokumentohet nëpërmjet regjistrimit audio dhe procesverbalit me përmbledhjen e diskutimeve të cilat botohen në rubrikën Dokumentimi i Mbledhjes Plenare në këtë faqe interneti.
Në këtë faqe interneti do të gjenden edhe njoftimet dhe shpalljet e publikuara si dhe informacion mbi kalendarin e eventeve, aktivitetet e zhvilluara si dhe njoftimet për shtyp nën rubrikën Njoftime. Ligjet kryesore ku mbështet veprimtarinë Këshilli mund të gjenden në rubrikën Legjislacion. Këshilli i Lartë Gjyqësor vendos në dispozicion të publikut në këtë faqe interneti, në një rubrikë të veçantë Programin e Transparencës.
Sistemi Gjyqësor
VIZIONI
Drejtësia në Shqipëri do të arrihet kur të gjithë qytetarët të kenë besim se do të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë sipas ligjit, nga një sistem gjyqësor i pavarur, etik dhe efikas.
Këshilli i Lartë Gjyqësor funksionon mbi disa vlera themelore të gjyqësorit:
Pavarësia
KLGJ-ja dhe gjykatat zotohen të ndërtojnë një sistem gjyqësor që funksionon si një organ i pavarur, i pandikuar nga ndërhyrjet dhe i angazhuar ndaj sundimit të ligjit.
Integriteti
KLGJ-ja dhe gjykatat zotohen të ndërtojnë një sistem të ndershëm gjyqësor që vepron në përputhje me parimet më të larta morale dhe etike dhe që gjithmonë përpiqet të bëjë drejtësi.
Profesionalizmi
KLGJ-ja dhe gjykatat zotohen të ndërtojnë një sistem gjyqësor, anëtarët e të cilit i zotërojnë të gjitha aftësitë e nevojshme për të përmbushur më së miri rolin e tyre.
Paanshmëria
KLGJ-ja dhe gjykatat zotohen të trajtojnë të gjithë qytetarët si të barabartë përpara ligjit.
Llogaridhënia
KLGJ-ja dhe gjykatat zotohen të garantojnë që të gjithë anëtarët e gjyqësorit janë të gatshëm të marrin përgjegjësi të plotë për veprimet e tyre.
MISIONI
Misioni i KLGJ-së është të ndërtojë, udhëheqë dhe qeverisë një gjyqësor me performancë të lartë, që synon ekselencën dhe meriton besimin e publikut.
Përbërja e Këshillit
Anëtarët
Komisionet
Komisionet e Përhershme
Komisioni i Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit
Komisioni i Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale
Komisionet e Përkohshme
Struktura e KLGJ
Sekretar i Përgjithshëm Z. Rudin Baqli