Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp datë 18 Tetor 2023

Sot, në datën 18.10.2023, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Këshilli vendosi shpalljen e pozicioneve të lira për gjyqtarët e emëruar më datë 12.10.2023, të diplomuar në përfundim të programit trevjeçar të formimit fillestar 2020-2023 si më poshtë:

• dy pozicione në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat;
• katër pozicione në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibës;
• tre pozicione në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan;
• gjashtë pozicione në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier;
• dy pozicione në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër;
• katër pozicione në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë;
• një pozicion në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës;
• gjashtë pozicione në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë;
• tre pozicione në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë;
• tre pozicione në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër;
• katër pozicione në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë;
• dy pozicione në Gjykatën e Administrative të Shkallës së Parë Lushnje.

Më tej, Këshilli miratoi vendimin për ngritjen në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, znj. Marsela Pepi.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi për përfundimin e afatit të komandimit si inspektore në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për magjistraten znj. Marsela Pepi.

Këshilli miratoi vendimin për ngritjen në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, z. Qemal Zaimi.

Në vijim, Këshilli vendosi për përfundimin e afatit të komandimit si nëpunës përgjegjës në njësinë e vlerësimit profesional dhe etik të gjyqtarëve pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, të magjistratit z. Qemal Zaimi.

Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi vendimet përkatëse për renditjen e kandidatëve në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile të shpallur me vendimin nr. 15, datë 18.01.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, si dhe transferimin e gjyqtares znj. Amarilda Sulaj në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Ndër të tjera, Këshilli vendosi për renditjen e kandidatëve në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile të shpallur me vendimin nr. 19, datë 18.01.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Këshilli miratoi vendimet përkatëse për vlerësimin etik dhe profesional, me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimit), të gjyqtares znj. {…} për periudhën e vlerësimit 2013 – 2016; të gjyqtares znj. {…} për periudhën e vlerësimit 2013 – 2016 dhe të gjyqtares znj. {…}, për periudhën e vlerësimit 2017 – 2019.

Në përfundim të mbledhjes, Këshilli vendosi për shtyrjen e shqyrtimit të projektvendimeve “Për kualifikimin dhe lejimin për të marrë pjesë në provimin e vlerësimit profesional të kancelares znj. {…}”/ “Për skualifikimin dhe ndërprerjen e marrëdhënies së punës të kancelares znj. {…}.”

Back to top