Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për Shtyp datë 02 Maj 2024

Sot, në datë 02.05.2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:

Këshilli vendosi të shtyjë seancën dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates znj. {…} me funksion gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm {…} dhe të caktojë seancën e radhës më datë 16.05.2024.

Më tej, Këshilli miratoi raportin për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtares së komanduar në Këshillin e Lartë Gjyqësor znj. {…} për periudhën e vlerësimit 10.02.2020-21.11.2022.

Pas shqyrtimit të projektaktit, Këshilli vendosi për refuzimin e kërkesës së z. {…} për caktimin në pozicionin gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Këshilli miratoi vendimet për hapjen e procedurës së lëvizjes paralele për:
– 1 (një) pozicion i lirë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, në fushën e të drejtës civile;
– 4 (katër) pozicione të lira në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, konkretisht 3 (tre) pozicione të lira në fushën e të drejtës civile dhe 1 (një) pozicion të lirë në fushën e të drejtës penale;
– 3 (tre) pozicione të lira në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, konkretisht 2 (dy) pozicione të lira në fushën e të drejtës civile dhe 1 (një) pozicion të lirë në fushën e të drejtës penale;
– 1 (një) pozicion i lirë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në fushën e të drejtës civile;
– 2 (dy) pozicione të lira në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Në vijim, Këshilli vendosi hapjen e procedurës së ngritjes në detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për 3 (tre) pozicione të lira në fushën e të drejtës civile.

Gjithashtu, Këshilli vendosi hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për 1 (një) pozicion të lirë.

Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi ndryshimin e pikës 1 të vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 280, datë 10.12.2019, “Për caktimin e gjyqtarëve për mediat”, duke caktuar znj. Mevlute Çaushi, gjyqtare për median pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.

Këshilli vendosi miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor të datave 07.02.2024, 07.02.2024 (ora 15:30), 15.02.2024, 20.02.2024, 23.02.2024 dhe 29.02.2024.

Për shkak të mungesës së kuorumit, Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimeve:
• “Për pranimin/refuzimin e kërkesës së z. {…} “Për përjashtimin e relatorit dhe të anëtarëve të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, nga procedurat për të cilat ai ka kandiduar për lëvizje paralele në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë””;
• “Për pranimin/refuzimin e kërkesës së gjyqtarit z. {…} “Për përjashtimin e relatores znj. {…} nga procedura e vlerësimit etik dhe profesional, për periudhën 2017-2019””.

Në përfundim, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarit për gjykimin e çështjes së veçantë, në gjykatë të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme.

Back to top