Njoftim për shtyp 26 Shtator 2019
Sot më datë 26.09.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën shqyrtoi, diskutoi dhe miratoi disa vendime.
Më konkretisht, Këshilli, pasi u njoh me raportin e përgatitur nga Komisioni për Vlerësimin e Statusit Individual dhe Karrierën e Inspektorëve të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe nevojën për të verifikuar disa dokumente, pjesë të dosjes individuale, vendosi të shtyjë me një javë vendimmarrjen mbi statusin individual dhe karrierën e inspektorëve të ish-KLD.
Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli caktoi Z. Medi Bici, si përfaqësues i KLGJ-së në përbërje të Komisionit për Mbrojtjen e Gjyqtarëve, i cili do të jetë njëkohësisht edhe kryetar i tij në përputhje me kërkesat ligjore.
Gjithashtu, Këshilli vendosi të përjashtojë kandidatin Z. Aleks Nikolli, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër, nga procedurat e komandimit, në pozicionin e pedagogut të brendshëm, në Departamentin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës, për shkak se cenohet funksionaliteti i gjykatës në të cilën ushtron detyrën.