Në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, u organizua ceremonia e betimit të 40 gjyqtarëve të cilët përfunduan Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2022-2023.
Sot më datë 20 tetor 2023, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, u organizua ceremonia e betimit të 40 gjyqtarëve të cilët përfunduan Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2022-2023.
Gjyqtarët e rinj, të sapo emëruar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, tashmë i bashkohen korpusit të gjyqtarëve që ushtrojnë funksionin në gjykatat e vendit.
Në këtë aktivitet publik morën pjesë magjistratët e rinj, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë z. Alfred Balla, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës z. Arben Rakipi, si dhe përfaqësues të mediave.
Të pranishmit në këtë aktivitet u përshëndetën nga Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor znj. Naureda Llagami, e cila e cilësoi ditën e sotme si një hap vendimtar për rijetësimin e sistemit tonë gjyqësor, i cili vjen pas finalizimit të proceseve të rëndësishme siç është ngritja në detyrë dhe promovimi i gjyqtarëve aktual që po shërbejnë brenda sistemit në ditët e tij më të vështira.
Në fjalën e saj, znj. Naureda Llagami shprehu se “promovimi mbi meritokracinë është thelbi i krijimit të një trupe gjyqësore profesionale, të pavarur dhe me integritet dhe kjo gjë ka kërkuar shumë përpjekje nga ana jonë pasi kur e nisëm rrugëtimin tonë përpara 5 viteve nuk kishim asnjë model se si duhet të krijoheshin këto standarde”.
Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor përfundoi fjalimin me urimin “ju uroj suksese në rrugëtimin tuaj profesional që ju pret përpara duke kultivuar durim dhe përulësi, sepse drejtësisa dhe e vërteta e gjejnë rrugën e tyre”.
Ceremonia vijoi me betimin e gjyqtarëve znj. Ina Yzellari, z. Klajdi Tërova, znj. Aurora Alimadhi, znj. Olta Cenaj, z. Estjon Venxha, znj. Edlira Çota, z. Elvis Sulejmani, z. Vladimir Cjapi, z. Noel Veizi, z. Renis Sheshi, z. Aldi Kareco, z. Genci Busho, z. Artan Çirraga, znj. Alba Ngresi, znj. Dorentina Mulaj, znj. Klodiana Kryeziu, znj. Eranda Cufo, z. Armand Shkurta, z. Fjorald Behari, znj. Edona Vajushi, znj. Eglantina Biba, z. Mikel Hysometaj, znj. Dorina Alushi, z. Lirim Bulica, znj. Juliana Pjetri, znj. Egla Mirashi, znj. Nertila Përallaj, znj. Elona Mërtiri, znj. Anisa Brinja, znj. Elena Tafa, znj. Lumturi Zhupa, z. Ilirjan Hysa, znj. Entela Selmanaj, z. Entiljano Spahiu, z. Ervin Kore, z. Romeo Merruko, znj. Mevlute Çaushi, z. Orald Hoxha, znj. Ajshe Xhafa, znj. Enkeleda Halilaj, sipas tekstit: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale”.
Fjala e plotë e znj. Naureda Llagami, Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor
Të nderuar miq të ftuar në këtë ceremoni të betimit të 40 magjistratëve të rinj që iu shtuan trupave gjyqësore të gjykatave në mbarë vendin.
Dita e sotme është një hap vendimtar për rijetëzimin e sistemit tonë gjyqësor i cili vjen pas finalizimit të proceseve të rëndësishme siç është ngritja në detyrë dhe promovimi i gjyqtarëve aktual, të cilët po shërbejnë brenda sistemit në ditët e tij më të vështira, duke kontribuar qënësishëm në suksesin e reformës dhe dhënies së drejtësisë qytetarëve.
KLGJ ka punuar më përkushtim gjatë të gjithë kësaj periudhe për të bërë të mundur që ju të emëroheni në përputhje me standartet më të mira. Dhe këtë e them jo për t’u shfajësuar, por për t’ju thënë, që ju shumë shpejt do t’i jeni mirënjohës këtij Këshilli që në sajë të punës së tij ka bërë të mundur vendosjen e standarteve më të mira për ngritje në detyrë dhe lëvizjet paralele.
Ju do t’i jeni mirënjohës këtij Këshilli sepse në avancimin e karrierës suaj, nuk do t’ju duhet të jeni pjesë e një grupimi në sistem apo të keni lidhje me politikën, por duhet t’ia dini meritën vetëm vetes tuaj.
Promovimi mbi meritrokacinë është thelbi i krijimit të një trupe gjyqësore profesionale, të pavarur dhe me intigritet. Dhe kjo gjë ka kërkuar shumë përpjekje nga ana jonë pasi kur e nisëm rrugëtimin tonë para 5 viteve nuk kishim asnjë model se si duhet të krijohen këto standarte. Trashëgonim një sistem me probleme në promovimin e gjyqtarëve, një sistem jo funksional dhe efiçent dhe me një barrë të rëndë ndaj publikut, i cili nuk besonte më te gjykata.
Dhe sot pas 5 vitesh, ne jo vetëm kemi ndërtuar një sistem funksional bazuar në meritokraci, por e kemi ripërtërirë sistemin me brezat e rinj. Ju jeni brezi i 4-t që kjo KLGJ emëron dhe se bashkë me kolegët tuaj jeni 120 magjistratë të rinj.
Në këto 5 vite kemi mundur ti mbajmë në këmbë gjykatat edhe pse me shumë kosto të lartë nga humbja e burimeve njerëzore prej procesit të Vetting-ut, humbje që vetë ideatorët e reformës kur e dizenjuan nuk e kishin parashikuar, por i ra barra këtij Këshilli të reagonte me përgjegjshmëri.
Kemi të plotësuar plotësisht Gjykatën e Lartë jo vetëm me gjyqtarë por edhe me staf ndihmës dhe shpresoj dhe uroj që kjo gjykatë të vazhdojë punën e saj me të njëjtin vrull edhe për vitet në vijim. Kemi bërë funksionale Gjykatat e Posaçme dhe pse jo edhe Gjykatën e Apelit.
Kemi bërë në një kohë rekord hartimin, miratimin dhe zbatimin e “Hartës së re gjyqësore”, projekti më madhor i këtij Këshilli që po dëshmon ditë pas dite domosdoshmërinë e saj.
Sot që ne flasim, kemi ecur përpara me vlerësimet e gjyqtarëve, që në fakt deri tani janë rreth 150 raporte vlerësimesh të cilat i janë nënshtruar kontrollit gjyqësor dhe kushtetues. Vlerësime që dikur ishin të pakta në krahasim me numrin që ka bërë Këshilli për këto vite.
Por, a ka ende Këshilli sfida?! Patjetër që ka. Sfida më e madhe është si t’i shërbejmë qytetarit i cili duhet jetë në qendër të drejtësisë. Dhe kjo është një sfidë e përbashkët që duhet të na shqetesojë të gjithëve. Bashkë duhet t’i shërbejmë qytetarit ashtu siç e meriton të shërbehet një qytetar i një vendi që aspiron të jetë në Bashkimin Europian.
Prandaj në emër të Këshillit, ju uroj suksese në rrugëtimin tuaj profesional që ju pret përpara duke kultivuar durim dhe përulësi, sepse drejtësia dhe e vërteta e gjejnë rrugën e tyre!