Njoftim për shtyp, datë 26 Maj 2021
Sot, në datën 26.05.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Pas shqyrtimit në seancë dëgjimore publike të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Apelit {…}, në funksion të ushtrimit të së drejtës efektive të mbrojtjes, si dhe garantimit të parimeve themelore të ligjshmërisë e procesit të rregullt ligjor, Këshilli vendosi shtyrjen e seancës dëgjimore në datën 2 Qershor 2021, për shkak të mosparaqitjes në seancë të magjistratit.
Në kuadër të procesit të vlerësimit etiko profesional të gjyqtarëve si dhe atij të ngritjes në detyrë, Këshilli vendosi miratimin e raporteve të vlerësimit për gjyqtarin z.Enton Dhimitri, për periudhën e vlerësimit 2013-2016 dhe për vitin 2019.
Në zbatim të detyrimeve ligjore për hartimin dhe plotësimin e kuadrit rregullator nënligjor, Këshilli vendosi miratimin e formës standarde të akteve të vlerësimit dhe tabelave me të dhëna statistikore të nevojshme për efekt të vlerësimit etik dhe profesional të ndihmësmagjistratëve në Gjykatën e Lartë.
Në vijim, Këshilli vendosi përjashtimin për një afat të caktuar të gjyqtares znj.Nertila Kape nga lista e gjyqtarëve që caktohen për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme.
Në përputhje me dispozitat ligjore, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së verifikimit të kandidatëve për pranim në Shkollën e Magjistraturës, profili gjyqtar si dhe për ndihmës dhe këshilltar ligjor për vitin akademik 2021-2022.
Në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesave të disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ato ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.