Këshilli i Lartë Gjyqësor, në bashkëpunim me Gjyqtarët për Mediat dhe Nëpunësit Civilë Gjyqësorë për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median në gjykata, në datat 21 Prill dhe 6 Maj zhvilluan dy takime në distancë me studentët e vitit të tretë të Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës
Këshilli i Lartë Gjyqësor, në bashkëpunim me Gjyqtarët për Mediat dhe Nëpunësit Civilë Gjyqësorë për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median në gjykata, në datat 21 Prill dhe 6 Maj zhvilluan dy takime në distancë me studentët e vitit të tretë të Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës, që ndjekin kursin e Raportimit mbi Krimin dhe Gjykatat, i cili mbështetet nga Ambasada Britanike në Tiranë nëpërmjet zbatimit të projektit nga East-West Management Institute (EWMI).
Në këto dy sesione ndërvepruese, studentët patën mundësi të njihen me rolin e ri të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe eksperiencën profesionale të Gjyqtarëve për Mediat dhe të Nëpunësve Civilë Gjyqësorë për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median në gjykata. Ata u informuan mbi praktikat e marrjes së informacionit, procedurat dhe hapat për ndërveprimin me publikun dhe median, si dhe forcimin e marrëdhënieve me personat e kontaktit për median. Gjatë takimeve u theksua rëndësia për t’i bërë gjykatat më të hapura për gazetarët, me qëllim rritjen e transparencës përmes një raportimi të paanshëm dhe etik mbi veprimtarinë e sistemit gjyqësor.
Këshilli i Lartë Gjyqësor konfirmon angazhimin për të vazhduar këtë praktikë të suksesshme bashkëpunimi edhe në të ardhmen, në mënyrë që brezat e rinj të studentëve të njohin më mirë punën e gjykatave, gjatë procesit të tyre të formimit si gazetarë të ardhshëm, për t’i shërbyer sa më mirë informimit të publikut.
Këshilli i Lartë Gjyqësor është i përkushtuar për sigurimin e të drejtës për qasje në informacion dhe përmirësimin e komunikimit etik midis gjyqësorit dhe medias.