Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi, mori pjesë në vizitën studimore , organizuar nga Universiteti i Floridës së Jugut, në Shën Petersburg, të zhvilluar në Tampa-Florida dhe Washington DC, USA.
Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi mori pjesë në vizitën studimore të organizuar nga Universiteti i Floridës së Jugut, në Shën Petersburg, e cila u zhvillua në Tampa-Florida dhe Washington DC, USA, nga data 19.04.2024 deri më 29.04.2024. Në këtë vizitë morën pjesë edhe z. Bezart Kaçkini, zëvendëskryetar i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, z. Paulin Çera, zëvendëskryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe z. Enkel Peza, zëvendëskryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Qëllimi i vizitës ishte marrja e eksperiencës lidhur me qeverisjen e hapur, transparencën dhe llogaridhënien. Me këtë qëllim pjesëmarrësit vizituan Qendrën e Drejtësisë të Kontesë Pinellas, në Clearwater si edhe Gjykatën e Qarkut Tampa – Florida ku zhvilluan takime me gjyqtarë, dhe funksionarë të tjerë të lartë me të cilët u diskutua mbi sistemin gjyqësor amerikan dhe atë shqiptar. Takimet u shoqëruan dhe me pjesëmarrje në procese gjyqësore.
Gjatë kësaj vizite pjesëmarrësit zhvilluan bashkëbisedime me gjyqtarë dhe juristë shqiptarë në SH.B.A, me qëllim ndarjen e eksperiencave të përbashkëta si edhe morën pjesë në trajnimin me temë punën kërkimore të vëzhgimit në sallën e gjyqit “Soaking and Poking” në gjyqësor, mbajtur në Universitetin e Floridës së Jugut, Shën Petersburg me profesoreshë Judithanne Scourfield McLauchlan, ku u realizua dhe një leksion i hapur me studentë shqiptarë dhe ndërkombëtar, me temë “Shteti ligjor dhe shoqëria civile”.
Vizita vijoi me takime me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë z. Ervin Bushati dhe atë të Republikës së Kosovës, ku u bisedua mbi sfidat në sistemin e drejtësisë dhe bashkëpunimin e frytshëm me SH.B.A. Po ashtu në Washington D.C u realizua një vizitë në Qendrën Open Gov Hub. Temat kryesore të bashkëbisedimit me drejtorin e kësaj qendre z. Anthony Rodriguez ishin qeverisja, transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve. Pjesëmarrësit morën pjesë në një trajnim me temë mbi qeverisjen e hapur si dhe në aktivitete të tjera të zhvilluara nga kjo qendër. Kjo vizitë studimore u përmbyll me një takim me zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit.