Njoftim për Shtyp datë 17 Prill 2024
Sot, në datë 17.04.2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:
Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli miratoi raportin për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtares znj. {…}, me qëllim gradimi për periudhën e vlerësimit 2013-2016, si dhe raportin për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarit z. {…}, për periudhën e vlerësimit 2017-2019.
Këshilli vendosi për kualifikimin dhe vijimin e procedurës së lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për kandidatët znj. {…} dhe z. {…}, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës penale, të shpallur me vendimin nr. 86, datë 20.02.2024, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në vijim, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi vendimin për caktimin e seancës dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për fillimin e procedimit disiplinor nr. 5/2024, ndaj magjistrates znj. {…}, me funksion gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm {…}.
Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi vendimin për shpërndarjen dhe rishpërndarjen e disa automjeteve, në sistemin gjyqësor.
Më tej, Këshilli miratoi vendimin mbi rishpërndarjen (transferimin) e fondeve buxhetore në programin 03310, në shpenzime kapitale, për vitin buxhetor 2024.
Pas procedurave të shortit, Këshilli miratoi vendimin për zëvendësimin e nëpunësit përgjegjës për vlerësim në procedurat e vlerësimit etik dhe profesional të papërfunduara për shkak të mbarimit të afatit të komandimit të nëpunëseve përgjegjëse për vlerësim znj. Gilda Hoxha dhe znj. Esmerilda Habili.
Gjithashtu, pas procedurës të shortit, Këshilli miratoi vendimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes të kandidatëve për lëvizje paralele në gjykatën e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Elbasan, Durrës dhe Tiranë për pozicionet e shpallura të lira, përkatësisht me vendimet nr. 249, datë 24.05.2023; nr. 22, nr. 23, datë 18.01.2023 dhe nr. 73, 74, 75, 76, 77, 78, 79, 80, 81, 82, 83, 84, 85 dhe 86, datë 20.02.2024 të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në përfundim të mbledhjes, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së përshpejtuar të detyruar të vlerësimit etik dhe profesional, periudha e vlerësimit viti kalendarik 2022 për gjyqtarët znj. {…}, znj. {…}, z. {…}, znj. {…}, znj. {…}, znj. {…} dhe znj. {…}, si dhe për periudhën e vlerësimit viti kalendarik 2019, për gjyqtaren znj. {…}.