Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për Shtyp datë 29 Mars 2024

Sot më datë 29.03.2024, u mbajt një takim pune mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe ekspertëve të projektit Instituti i Menaxhimit Lindje-Perëndim (EWMI), me qëllim diskutimin e strategjisë kombëtare për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura në gjykata. Ky takim vjen në vijim të punës disa mujore të Grupit të Punës për hartimin kësaj strategjie, si edhe takimeve konsultuese të mbajtura në datat 25- 28 Mars 2024, me gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Gjykatës Administrative të Apelit dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Qëllimi i këtyre takimeve ishte prezantimi i objektivave strategjike dhe masave të hartuara nga Grupi i Punës për Strategjinë e Uljes së Numrit të Çështjeve të Prapambetura.
Gjatë takimit të ditës së sotme, Kryetarja e Këshillit, znj. Naureda Llagami vlerësoi punën intensive të Grupit të Punës me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare nga projekti EWMI, SEJ III, si dhe EU4Justice. Më tej eksperti ndërkombëtar i administrimit të Gjykatave z. Pim Albers prezantoi strategjinë dhe takimi vijoi me disa diskutime mes anëtarëve të Këshillit. Në ditët në vijim pritet të miratohen nga Këshilli aktet nën-ligjore që lidhen me strategjinë për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura në gjykata, duke finalizuar kështu këtë ndërmarrje të rëndësishme të Këshillit në lidhje me përmirësimin e efiçencës dhe cilësisë së gjyqësorit.

Back to top