Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për Shtyp datë 03 Prill 2024

Sot, në datën 03.04.2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli miratoi raportin e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtares znj. {…}, me qëllim gradimi, për periudhën e vlerësimit 2013-2016.

Pas hedhjes së shortit, Këshilli vendosi për fillimin e procedurës së verifikimit të kritereve ligjore të kandidimit në procedurat e lëvizjeve paralele në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, të shpallura me vendimet nr. 256, nr. 257 dhe nr. 258, datë 24.05.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për kandidatët që nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë vlerësim.

Pas përcaktimit me short të relatorëve dhe nëpunësve përgjegjës për vlerësimin, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së vlerësimit etik dhe profesional me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimin) të gjyqtarëve që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit.

Në përputhje me dispozitat ligjore, Këshilli vendosi hapjen e procedurës së transferimit të përkohshëm për një pozicion të lirë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Këshilli vendosi kualifikimin e kandidates znj. {…} dhe vijimin e procedurës së lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për pozicionet e lira të shpallura me vendimet nr. 76 dhe nr. 81, datë 20.02.2024, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Këshilli vendosi përfundimin pa vendim përfundimtar të procedurës së përshpejtuar të detyruar të vlerësimit etik dhe profesional, viti kalendarik 2021, për gjyqtarin z. {…}.

Gjithashtu, Këshilli vendosi verifikimin e plotësimit nga kandidatja znj. {…} të tre kritereve të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 246, datë 24.05.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe vijimin e procedurës së verifikimit për kriteret e tjera ligjore të kandidimit.

Këshilli miratoi vendimin për përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 500, datë 21.11.2022, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për kandidatin z. Arbër Çela, për shkak të dorëheqjes së tij nga kandidimi në këtë pozicion.

Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi vendimet përkatëse për renditjen e kandidatëve në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës penale, të shpallur me vendimin nr. 252 datë 24.05.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, si dhe transferimin e gjyqtares znj. Suela Lika në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Këshilli vendosi për transferimin e përkohshëm të gjyqtares znj. Suela Dashi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Pas shqyrtimit të kërkesës së gjyqtares znj. {…}, Këshilli vendosi dhënien e lejes së papaguar për një afat të caktuar.

Ndër të tjera, Këshilli shqyrtoi dhe vendosi për refuzimin e kërkesës së gjyqtares znj. {…} për dhënie leje të papaguar.

Në kuadër të procesit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve, Këshilli vendosi miratimin e raporteve të vlerësimit për z. {…} për periudhën 2017-2019 dhe për periudhën 2022.

Më tej, Këshilli miratoi procesverbalet e mbledhjeve plenare të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të datave 18.01.2024, 24.01.2024 dhe 31.01.2024.

Pas shqyrtimit të kërkesave të ardhura prej disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme.

Këshilli vendosi miratimin e listave emërore të kandidatëve që plotësojnë si dhe të atyre që nuk plotësojnë kriteret për të marrë pjesë në provimin e pranimit në Programin e Formimit Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2024-2025, për ndihmës ligjorë.

Në vijim, Këshilli vendosi miratimin e “Komente dhe sugjerime mbi rezultatet e vlerësimit paraprak nga Shkolla e Magjistraturës të kandidateve që kanë aplikuar për pranimin në formimin fillestar për magjistrat, profili gjyqtar, për vitin akademik 2024-2025”.

Në përfundim të mbledhjes dhe pas caktimit me short të relatorit dhe nëpunësit përgjegjës për vlerësimin për secilën gjyqtare, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së përshpejtuar të detyruar të vlerësimit etik dhe profesional, periudha e vlerësimit viti kalendarik 2022, për gjyqtaret znj.{…} dhe znj. {…}.

Back to top