Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp datë 27 Mars 2024

Sot, në datë 27.03.2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:

Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarit z. {…}, për periudhën 2017-2019”.

Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli miratoi raportet përkatëse të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtareve znj. {…}, znj. {…} dhe znj. {…}, me qëllim gradimi, për periudhën e vlerësimit 2013-2016.

Në vijim, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi komandimin e gjyqtares znj. Anjeza Buzo në pozicionin e këshilltares ligjore, në Njësinë Mbështetëse të Komisioneve të Përhershme, në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Këshilli miratoi vendimet për komandimin e gjyqtareve znj. Merita Karaj dhe znj. Entela Gjoni në pozicionet e nëpunësve përgjegjëse për vlerësimin, në Njësinë e Vlerësimit Profesional dhe Etik të Gjyqtarëve, në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Këshilli miratoi vendimin për përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për pozicionet e lira në fushën e të drejtës civile, të shpallura me vendimet nr. 242, nr. 246 dhe nr. 247, datë 24.05.2023, për kandidatin z. Ervin Pollozhani, për shkak të dorëheqjes së tij nga kandidimi në këto pozicione.

Në përfundim, Këshilli vendosi verifikimin e plotësimit nga kandidatja znj. {…} të tre kritereve të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për pozicionet e lira në fushën e të drejtës civile, të shpallura me vendimet nr. 239, 240, 241, datë 24.05.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe vijimin e procedurës së verifikimit për kriteret e tjera ligjore të kandidimit.

Back to top