NJOFTIM i dates 02.11.2023 PËR SHPALLJEN E KËRKESËS PËR KANDIDATURA NGA RADHËT E GJYQTARËVE PËR KOMANDIM NË SHKOLLËN E MAGJISTRATURËS NË POZICIONIN E PEDAGOGUT TË BRENDSHËM
Këshilli i Lartë Gjyqësor, mbështetur në shkronjën “ë”, pika 1, të nenit 147/a, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në shkronjën “a”, pika 2, të nenit 61, në shkronjën “d” të nenit 86, në shkronjë “b”, pika 1, të nenit 97, nenet 264 dhe 265 të Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, si dhe në nenet 53, 54, 57 dhe 58, të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me vendimin nr.659, datë 02.11.2023 ka vendosur:
“Shpalljen e kërkesës për kandidatura, nga radhët e gjyqtarëve, për komandim në Shkollën e Magjistraturës, në pozicionin e pedagogut të brendshëm”.
Këshilli i Lartë Gjyqësor fton:
Çdo gjyqtar të interesuar, që plotëson kushtet dhe kriteret e komandimit, për të paraqitur kërkesë për komandim.
Kohëzgjatja e komandimit, në pozicionin e shpallur, është 2 (dy) vjet, me të drejtë ripërsëritje.
Kohëzgjatja e komandimit, në pozicionin e shpallur mund të përfundojë para afatit:
a) me kërkesë të gjyqtarit, për shkaqe të justifikuara;
b) kur vazhdimi i komandimit bie ndesh me interesat e lartë të gjykatës ku i komanduari ushtron funksionin e gjyqtarit.
c) kur ndaj gjyqtarit të komanduar merret masë disiplinore;
ç) kur gjyqtari i komanduar jep dorëheqjen;
d) kur gjyqtari i komanduar largohet nga detyra.
Kushtet e komandimit, në pozicionin e shpallur, janë:
a) Komandimi nuk duhet të bjerë ndesh me interesat e lartë të gjykatës ku kandidati ushtron funksionin e gjyqtarit;
b) Kandidati nuk duhet të jetë në një pozicion me mandat të kufizuar;
c) Kandidati nuk duhet të jetë i komanduar;
ç) Kandidati, që ka qenë i komanduar më parë: i) duhet të ketë shërbyer jo më pak se 5 (pesë) vjet si gjyqtar pas përfundimit të periudhës së mëparshme të komandimit; nuk duhet të ketë kaluar kohëzgjatjen maksimale të komandimit prej më shumë se dhjetë vjet gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të detyrës;
d) Kandidati nuk duhet të ketë masë disiplinore në fuqi.
Kriteret e komandimit për pozicionin “Pedagog i brendshëm”, janë:
a) Kandidati duhet të ketë eksperiencë pune mbi pesëmbëdhjetë vjet si jurist, gjyqtar, prokuror, avokat dhe eksperiencë mësimdhënie si pedagog i brendshëm në sistemin universitar ose pedagog i jashtëm ose i brendshëm në Shkollën e Magjistraturës, mbi dhjetë vjet; ose
b) Kandidati, që ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës, duhet të ketë eksperiencë mbi dhjetë vjet si gjyqtar dhe eksperiencë mësimdhënie universitare në lëndët kryesore ose në Shkollën e Magjistraturës mbi pesë vjet.
Kriteret specifike të komandimit janë:
a) Të ketë kaluar procesin e rivlerësimit kalimtar nga organet e Vettingut.
Afati i paraqitjes së kërkesave për komandim është data 17.11.2023.
Dokumentacioni i aplikimit (Kërkesa për komandim dhe dokumentat që provojnë plotësimin e kritereve të komandimit) duhet të dorëzohet nga kandidati në Zyrën e Protokollit pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, në adresën Rruga “Ana Komnena”, ndërtesa “Poli i Drejtësisë” Tiranë.
Të gjithë të interesuarit për më tepër informacion lidhur me procedurat e kandidimit mund të vizitojnë faqen zyrtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke u konsultuar me Vendimin nr. 659, datë 02.11.2023, “Për hapjen e procedurës së komandimit në Shkollën e Magjistraturës dhe shpalljen e kërkesës për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve”.