Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp datë 02 Nëntor 2023

Sot, në datë 02.11.2023, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:

Këshilli vendosi për hapjen e procedurës së komandimit në Shkollën e Magjistraturës dhe shpalljen e kërkesës për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve.

Gjithashtu, Këshilli miratoi vendimin për shfuqizimin e vendimit nr. 559, datë 01.12.2021 të Këshillit të Lartë Gjyqësor për pezullimin e procedimit disiplinor të filluar ndaj ish-magjistratit z. {…} dhe vijimin e shqyrtimit të tij.

Më tej, Këshilli shqyrtoi dhe miratoi vendimin për përllogaritjen e pagës referuese bazë të magjistratit (gjyqtar), për periudhën 1 janar 2019 deri më 08 janar 2023.

Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi vendimin për një ndryshim në vendimin nr. 280, datë 10.12.2019 të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për caktimin e gjyqtarëve për mediat” duke caktuar:

• Z. Ardit Kuka, gjyqtar për Median pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan;
• Znj. Marjola Beluli, gjyqtar për Median pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër;
• Znj. Dejvi Çelçima, gjyqtar për Median pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë;
• Z. Renis Sheshi, gjyqtar për Median pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë;
• Znj. Suela Lika, gjyqtar për Median pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër;
• Z. Erjon Bani, gjyqtar për Median pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në vijim, Këshilli vendosi për deklarimin e përfunduar, pa një vendim përfundimtar, të shqyrtimit të kërkesës së znj. Ariana Gaçi.

Këshilli miratoi vendimin për deklarimin e përfunduar pa një vendim përfundimtar të procedurës së verifikimit të mundësisë fizike dhe mendore për ushtrimin e funksionit të gjyqtarit nga z. {…}.

Ndërkohë, Këshilli shqyrtoi dhe miratoi vendimet përkatëse për vlerësimin etik dhe profesional, me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimit), për periudhën e vlerësimit 2013 – 2016, si dhe vlerësimin etik dhe profesional për periudhën 2017-2019, të gjyqtares znj. {…}.

Ndër të tjera, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi raportin për vlerësimin etik dhe profesional, me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimit), për periudhën e vlerësimit 2013 – 2016, të gjyqtarit z. {…}.

Këshilli miratoi vendimin për shfuqizimin e vendimit të ndërmjetëm datë 16.02.2023 “Për pezullimin e shqyrtimit të projektvendimit për kualifikimin/skualifikimin e znj. {…} për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës”.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi shqyrtoi projektvendimin “Për kualifikimin e kandidatit z. {…} dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për një pozicion të lirë në fushën e të drejtës penale, të shpallur me vendimin nr. 178, datë 11.05.2022, të Këshillit të Lartë Gjyqësor”/ “Për skualifikimin e kandidatit z. {…} dhe përjashtimin e tij nga procedurat e emërimit në Gjykatën e Lartë, vendosi shtyrjen e seancës për kryerjen e verifikimeve të tjera shtesë.

Gjithashtu, Këshilli pasi shqyrtoi projektvendimin “Për kualifikimin e kandidatit z. {…} dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për një pozicion të lirë në fushën e të drejtës penale, të shpallur me vendimin nr. 178, datë 11.05.2022, të Këshillit të Lartë Gjyqësor” / “Për skualifikimin e kandidatit z. {…} dhe përjashtimin e tij nga procedurat e emërimit në Gjykatën e Lartë”, vendosi shtyrjen e seancës për kryerjen e verifikimeve të tjera shtesë.

Këshilli, në vijim të procedurave të verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore përfshirë dhe pasurinë e figurën, të kandidatëve për pranimin në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2023-2024, profili gjyqtar, vendosi kualifikimin e kandidates znj. Nertila Merkaj.

Back to top