Njoftim për shtyp, datë 6 Korrik 2023
Sot, në datë 06.07.2023, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:
Këshilli miratoi vendimin për përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për pozicionet e lira në fushën e të drejtës penale, të shpallura me vendimet nr. 502 dhe nr. 503, datë 22.11.2022, për kandidaten znj. Elvana Çiçolli.
Gjithashtu, Këshilli vendosi për përjashtimin e kandidates znj. {…} nga procedurat e komandimit si pedagoge e brendshme pranë Shkollës së Magjistraturës.
Më tej, Këshilli miratoi raportin e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarit z. {…}, për periudhën 2017-2019.
Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi raportin për vlerësimin etik dhe profesional, me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimit), për periudhën e vlerësimit 2013 – 2016, të gjyqtarit z. {…}.
Ndër të tjera, Këshilli miratoi vendimet për kualifikimin dhe vijimin e procedurës së lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kandidatët:
• Znj. Yrfet Shkreli, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 23, datë 18.01.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor;
• Z. Ardit Kuka për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 22, datë 18.01.2023 dhe përfundimin e procedurës për pozicionin e shpallur me vendimin nr. 23, datë 18.01.2023.
Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi vendimin mbi rishpërndarjen (transferimin) e mjeteve të transportit (autovetura dhe motoçikleta), në disa gjykata.
Këshilli miratoi vendimet për nxjerrjen nga përdorimi të disa aktiveve, në disa gjykata si dhe për nxjerrjen nga përdorimi dhe transferimin pa pagesë të serverit të ish-Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër.
Ndër të tjera, Këshilli miratoi vendimin për përditësimin e trupës së gjyqtarëve udhëheqës për periudhën 2021 – 2024.
Këshilli vendosi kualifikimin e kandidates znj. Oltjona Goxha dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për pozicionet e lira në fushën e të drejtës penale, të shpallura me vendimet nr. 502 dhe nr. 504, datë 21.11.2022, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesave të ardhura prej disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme.