Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp datë 25 korrik 2023

Sot, në datë 25.07.2023, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:

Këshilli miratoi vendimin për propozimin e znj. Vojsava Kola për emërim në Gjykatën e Lartë, në pozicionin e lirë në fushën e së drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 536, datë 17.11.2021 të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në vijim të procesit për vlerësimin e punës së gjyqtarëve, Këshilli vendosi miratimin e raporteve të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtares së komanduar në Këshillin e Lartë Gjyqësor znj. {…}, për periudhën e vlerësimit 01.01.2019 – 07.02.2020 dhe të gjyqtarit të komanduar në Këshillin e Lartë Gjyqësor z. {…}, për periudhën 01.01.2019 – 01.06.2020.

Këshilli miratoi vendimin për përfundimin e marrëdhënies në shërbimin civil gjyqësor të kancelares së Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, për shkak të dorëheqjes.

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi për deklarimin e përfunduar, pa një vendim përfundimtar, të shqyrtimit të kërkesave të gjykatave administrative të shkallës së parë Tiranë, Durrës, Korçë, Gjirokastër dhe Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.

Në vijim, Këshilli miratoi vendimet për kualifikimin e kandidatëve dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për:

• Z. Ardit Kuka për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 249, datë 24.05.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor;
• Znj. Kostandina Kuro për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 251, datë 24.05.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor;
• Znj. Suela Lika për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës penale, të shpallur me vendimin nr. 253, datë 24.05.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse, Këshilli vendosi caktimin e gjykatave dhe gjyqtarëve udhëheqës gjatë praktikës profesionale të kandidatëve për magjistratë të Shkollës së Magjistraturës, viti akademik 2023-2024.

Këshilli miratoi vendimin për renditjen e kandidatëve në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 21, datë 18.01.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Pas procedurës të shortit, Këshilli miratoi vendimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së kandidatëve për lëvizje paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për pozicionet e shpallura të lira, përkatësisht me vendimet nr. 248, 250, 251 dhe 253, datë 24.05.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Pas shqyrtimit të kërkesave të ardhura prej disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme.

Këshilli përfshiu në rendin e ditës shqyrtimin e projektvendimit për miratimin e rregullave për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe pas diskutimeve u vendos shtyrja e shqyrtimit të tij në një seancë të radhës.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi shqyrtoi projektvendimin për kualifikimin/skualifikimin e kandidatit z. {…}, për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për vitin akademik 2021-2022, vendosi shtyrjen e seancës për kryerjen e verifikimeve të tjera shtesë.

Back to top