Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Sot në datën 26.07.2023, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor u zhvillua mbledhja e parë e grupit të punës për hartimin e strategjisë për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura në gjykata.

Sot në datën 26.07.2023, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor u zhvillua mbledhja e parë e grupit të punës për hartimin e strategjisë për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura në gjykata.

Në këtë mbledhje të parë ishin të pranishëm zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi, anëtarët znj. Irena Plaku dhe z. Ridvan Hado, zëvendëskryetari i Gjykatës Administrative të Apelit z. Ardian Dvorani, zëvendëskryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë z. Flamur Kapllani dhe zëvendëskryetari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë z. Gentian Hamiti.

Gjithashtu morën pjesë edhe përfaqësues nga Këshilli i Evropës, ekspertet e projektit “Ulja e Numrit të Çështjeve të Prapambetura dhe Përmirësimi i Efikasitetit në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë”, i zbatuar nga East-West Management Institute (EWMI) si dhe përfaqësues nga Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Lëndëve Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit, Departamenti Amerikan i Shtetit (INL).

Objekti i kësaj mbledhjeje të parë ishte prezantimi i situatës, me qëllim hartimin e strategjisë për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura në gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, gjykatat e shkallës së parë administrative dhe në Gjykatën Administrative të Apelit.

Pjesëmarrësit në mbledhje diskutuan mbi hartimin e një plan veprimi me masa konkrete me qëllim vlerësimin e situatës dhe hartimin e propozimit për standardet minimale të afatit për gjykimin e llojeve të ndryshme të çështjeve gjyqësore, nevojën për caktimin e standardeve sasiore dhe hartimin e propozimit mbi normën e likuidimit të çështjeve për gjyqtar, numrin e nevojshëm të gjyqtarëve në Gjykatën Administrative të Apelit si dhe numrin e nevojshëm për ndihmës ligjor në gjykata.

Mbledhja e ardhshme e grupit të punës do të mbahet në muajin Shtator 2023.

Back to top