Njoftim për shtyp, Datë 06 Dhjetor 2022
Sot, në datën 06.12.2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Këshilli miratoi vendimin për caktimin e seancës dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit z. {…}, aktualisht me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}.
Në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse, pas procedurës të shortit, Këshilli vendosi caktimin e relatorit për fillimin e procedurave të përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë, të kandidatëve nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë, të shpallur me vendimin nr. 178, datë 11.05.2022.
Po kështu, nëpërmjet procedurës së shortit për caktimin e relatorëve dhe nëpunësve përgjegjës për vlerësimin, Këshilli vendosi për fillimin e procedurës së përshpejtuar të detyruar të vlerësimit etik dhe profesional, viti kalendarik 2021, për gjyqtarët që kanë plotësuar kriteret ligjore të kandidimit për ngritje në detyrë në Gjykatën e Lartë, për pozicionin e shpallur me vendimin nr.178 datë 11.05.2022.
Më tej, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi vendimin për një shtesë në vendimin nr. 213, datë 16.06.2022 “Për fillimin e procedurës së verifikimit të kandidatëve fitues në provimin e pranimit në Programin e Formimit Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për ndihmës ligjorë, viti akademik 2022-2023”, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Gjithashtu, Këshilli miratoi vendimin për kualifikimin e kandidatit z. {…} dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për një pozicion të lirë në fushën e të drejtës penale, të shpallur me vendimin nr. 178, datë 11.05.2022, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Këshilli vijoi mbledhjen duke miratuar vendimin për një ndryshim në listën e gjyqtarëve udhëheqës të caktuar me vendimin e këshillit të lartë gjyqësor nr. 252, datë 07.07.2022.
Pas shqyrtimit të projektvendimit, Këshilli vendosi për kualifikimin e kandidates fituese për në programin e formimit fillestar të Shkollës së Magjistraturës, viti akademik 2022 – 2023, profili ndihmës ligjor, të znj. {…}.
Ndër të tjera, Këshilli miratoi vendimin për deklarimin e përfunduar pa një vendim përfundimtar të procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për znj. {…}.
Në përfundim të mbledhjes së sotme, Këshilli vendosi për kualifikimin e kandidatëve për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për vitin akademik 2022-2023, për z. {…}, znj. {…}, z. {…} znj. {…} z. {…} znj. {…} dhe znj. {…}.