Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Takim i Nivelit të Lartë me temë “Drejt Ekselencës Gjyqësore”

Sot, në datën 13.12.2022, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, u zhvillua Takimi i Nivelit të Lartë me temë “Drejt Ekselencës Gjyqësore”. Ky takim u zhvillua në bashkëpunim me Projektin “Ulja e numrit të çështjeve të prapambetura dhe përmirësimi i efikasitetit në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë”, zbatuar nga Instituti i Menaxhimit Lindje – Perëndim (EWMI), me mbështetjen e Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Ligjzbatimit, Departamenti Amerikan i Shtetit (INL).

Të pranishëm ishin Ambasadorja e SHBA, SH.S.Zj. Yuri Kim, Zëvendës Presidenti i Institutit të Manaxhimit Lindje-Perëndim z. Mark Dietrich, Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi, z. Pim Albers, Ekpert për Administrimin Gjyqësor si dhe përfaqësues të nivelit të lartë nga institucionet e drejtësisë, trupës gjyqësore dhe aktorë të tjerë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e drejtësisë.

Në fjalën e saj përshëndetëse Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami u shpreh se: “Sot jemi gjithashtu së bashku për të përmbyllur vitin e 4-t të funksionimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Sot është një realitet dhe jo më një vizion, një institucion që jo vetëm funksionon por edhe që menaxhon një nga shtyllat e demokracisë që është pushteti gjyqësor.

Gjithashtu, znj. Llagami theksoi se: “Përmes programeve strategjike që targetuan nevojat tona kryesore dhe veçanërisht disa objektiva madhore si funksionalizimi dhe efektiviteti i Gjykatës së Lartë, mund të themi se jemi ndarë njëherë e përgjithmonë me drejtësinë e vjetër. Ne i jemi falënderues EWMI, INL por edhe partnerëve të tjerë si BE dhe KiE që na kanë mbështetur në ngritjen e një drejtësie të re mbi bazat e integritetit, pavarësisë, profesionalizmit dhe besimit të publikut”.

Duke vijuar në fjalën e saj, Kryetarja e KLGJ- së, deklaroi se: “Për një kohë shumë të shkurtër ne kemi filluar të shohim rezultate me Gjykatën e Lartë e cila po ecën me ritme të cilat urojmë të sjellin një reduktim domethënës të çështjeve që presin drejtësi. Mbi të gjitha sot kemi një model të konsoliduar, i cili mund të përdoret me sukses në të ardhmen edhe në nivelin e apelit”.

Më tej fjalën e mori Ambasadorja e SHBA-ve, SH.S.Zj. Yuri Kim, e cila u shpreh se: “Vazhdoni të ecni sa më shpejt të mundeni. Kjo është një kohë vendimtare për reformën në drejtësi dhe ka arsye për të qenë optimiste për këtë brez shqiptarësh. Reforma në drejtësi po jep rezultate të dukshme, të prekshme, konkrete. Por e dini çfarë? Njerëzit duan më shumë dhe SHBA-të janë në kahun e popullit shqiptar. Ne biem dakord me ta, duhet të ketë më shumë. Kjo nuk është kohë për t’u çlodhur. Ne duhet të festojmë për përparimin që kemi bërë së bashku deri tani. E kemi bërë së bashku, e kemi realizuar së bashku. Ndonjëherë ka qenë e vështirë, nuk mendoj se ka pasur ndonjë kohë kur ka qenë e lehtë, ndonjëherë ka pasur gabime, por kjo është në rregull, ky është një proces njerëzor”.

Takimi vijoi me një prezantim të mbajtur nga z. Mark Dietrich, i cili theksoi rëndësinë që ka patur prezenca dhe mbështetja e Nëpunësve për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura (NUNÇP), në Gjykatën e Lartë për zgjidhjen e çështjeve gjyqësore dhe uljen e numrit të çështjeve të prapambetura, duke e ilustruar me një video.

Gjithashtu, i pranishëm në këtë aktivitet ishte Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi i cili u shpreh se: “Gjykata e Lartë po e kryen funksionin e vet kushtetues të njësimit dhe zhvillimit të praktikës gjyqësore, duke kërkuar vazhdimisht mënyra, mjete dhe rrugë të reja që sigurojnë shpejtësi, korrektësi, cilësi dhe transparencë në vendimmarrje. Ky është një proces i vazhdueshëm që kërkon një vizion të qartë dhe angazhim serioz për t’a realizuar. Prandaj çdo kontribut në këtë drejtim i aktorëve brenda dhe jashtë sistemit gjyqësor, është i mirëpritur. Të tillë e kemi trajtuar edhe ndihmën e pakursyer dhe të vlefshme që ka dhënë projekti drejtuar nga INL me fokus uljen e numrit të çështjeve të prapambetura”.

Në vazhdim fjalën e mori z. Pim Albers, Ekspert për Administrimin Gjyqësor, i cili theksoi nocionet e ekselencës gjyqësore.

Aktiviteti nxori në pah përparimet e bëra falë mbështetjes së Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, në konsolidimin e kapaciteteve të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Gjykatës së Lartë të Shqipërisë.

 

Back to top