Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njo f t i m për shpallje konkurimi për vend të lirë pune, nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele dhe të pranimit në shërbimin civil, në kategorinë ekzekutive.

Në zbatim të ligjit 152/2013 “Për nëpunësin civil” i ndryshuar, neni 22 dhe neni 25, si dhe VKM nr. 243, datë 18.3.2015 “Për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, i ndryshuar, Kreu II, III, IV dhe VII, Këshilli i Lartë Gjyqësor, njofton shpalljen e konkurimit për vend të lirë pune nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele dhe të pranimit në shërbimin civil, për kategorinë ekzekutive (të dy procedurat zhvillohen në të njëjtën kohë), si më poshtë:

  • 2 (dy) vende, në pozicionin Specialist i Marrëdhënieve me Publikun, me Jashtë dhe Botimet (kategoria ekzekutive, III-b), në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun, me Jashtë dhe Botimet, në Departamentin e Shërbimeve Juridike dhe Marrëdhënieve me Jashtë, pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Kërkesa të përgjithshme, kandidati duhet të plotësojë të gjitha kërkesat e përgjithshme për pranimin në shërbimin civil, sipas nenit 21, të ligjit nr. 152/2013 ”Për nëpunësin civil” i ndryshuar.

Përshkrimi i përgjithshëm i punës, për pozicionin Specialist i Marrëdhënieve me Publikun, me Jashtë dhe Botimet, është si më poshtë:

  1. Specialisti që ndjek botimet sigurohet që përpara publikimit të materialeve të mbledhjes plenare të KLGJ, të kujdeset për redaktimin e materialit, duke fshirë çdo reference tek emrat konkretë, përveç emrave të anëtarëve të Keshillit dhe emrave të gjyqtarëve, të cilët janë vendosur masa disiplinore të pezullimit dhe të shkarkimit.
  2. Procesverbali me përmbledhjen e diskutimeve bëhet public në faqen zyrtare të internetit të Këshillit pasi miratohet nga mbledhja plenare pasardhëse e Këshillit. Edhe në këtë rast, specialist kujdeset për të fshirë çdo reference tek emrat konkretë, përveç emrave të anëtarëve të Këshillit dhe emrave të gjyqtarëve, mbi të cilët janë vendosur masa disiplinore të pezullimit dhe të shkarkimit.
  3. Ndjek që aktet administrative individuale të Këshillit, në lidhje me statusin e gjyqtarëve ose nëpunësve civilë gjyqësorë, të bëhen publike në faqen zyrtare të internetit të Keshillit, të shoqëruara me arsyetimin përkatës, pasi të redaktohen për sigurimin e anonimatit të subjekteve, përveç rasteve të parashikuara ndryshe në Ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
  4. Ndjek që njoftimi i akteve administrative kolektive, në lidhje me statusin e të gjithë gjyqtarëve ose zyrtarëve të administratës gjyqësore, të bëhet nëpërmjet botimit në faqen zyrtare të Këshillit. Këto akte hyjnë në fuqi në datën e botimit në faqen zyrtare të Këshillit.
  5. Ndjek që aktet normative nënligjore të botohen në faqen zyrtare të internetit të Këshillit dhe në Fletoren Zyrtare. Ato hyjnë në fuqi në datën e botimit në Fletoren Zyrtare. Nëse akti normativ nënligjor ndryshon një akt tjetër, akti i ndryshuar botohet në formë të konsoliduar në faqen zyrtare të Këshillit.
  6. Ndjek publikimin e raporteve të KLGJ para Kuvendit për gjendjen në sistemin gjyqësor.
  7. Specialisti që mbulon marrëdhëniet me publikun ndjek detyrimet që ka KLGJ për mbarëvajtjen e marrëdhënieve të gjyqësorit me publikun. Në këtë kuadër, Këshilli kryen detyrat e mëposhtme:
    • krijon, zhvillon, dhe mirëmban një portal elektronik në internet, me qëllim ofrimin e informacionit të duhur për qasjen në drejtesi, përfshirë informacion të detajuar për strukturën e gjyqësorit dhe të gjykatave të veçanta, natyrën dhe qëllimin e procedurave gjyqësore, ndihmën juridike, kohëzgjatjen mesatare të çështjeve, tarifat gjyqësore, mjetet alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe çështje të tjera me interes public;
    • bën të mundur që secila gjykatë të ketë hapësirën e saj të veçantë në portalin në internet dhe t’i lejohet të publikojë në të të dhëna për gjykatën dhe çështjet gjyqësore;
    • merr masa që publiku dhe palët e interesuara të informohen mbi veprimtarinë e gjykatave, si dhe për çështje të veçanta gjyqësore;
    • miraton dhe përditëson, pas konsultimit me këshillat e gjykatave, udhëzuesit standard të shtypit.
  1. Specialisti bashkëpunon me anëtarin e KLGJ të caktuar nga Këshilli për kryerjen e detyrave në lidhje me marrëdhëniet me publikun.
  2. Këshilli i Lartë Gjyqësor cakton të paktën një gjyqtar për mediat për çdo juridiksion apeli. Në ato raste kur komunikimi me publikun nuk mund të kryhet prej tij, shërbimi i shtypit i
  3. Shkolla e Magjistraturës ofron trajnim për anëtarët e Keshillit, gjyqtarët për mediat, administratën e Këshillit dhe nëpunësit civilë gjyqësorë të përfshirë në veprimtaritë e marrëdhënieve me publikun.

 

I. KONKURIMI, NËPËRMJET PROCEDURËS SË LËVIZJES PARALELE.

 (Për këtë procedurë kanë të drejtë të aplikojnë vetëm nëpunësit civilë të së njëjtës kategori, nga të gjitha institucionet pjesë e shërbimit civil).

 I.1. Kushtet minimale për plotësimin e vendit të lirë me procedurën e lëvizjes paralele, janë si më poshtë:

  • Të jetë nëpunës civil i konfirmuar, brenda së njëjtës kategori (niveli ekzekutiv, dokument nga institucioni);
  • Të mos ketë masë disiplinore në fuqi, (dokument nga institucioni);
  • Të ketë të paktën vlerësimin e fundit të rezultateve në punë, “mirë” apo “shumë mirë”;
  • Të plotësojë kriteret e veçanta të përcaktuara në shpalljen për konkurim.

 I.2. Kërkesat e veçanta për pozicionin Specialist i Marrëdhënieve me Publikun, me Jashtë dhe Botimet, janë si më poshtë:

  • Të zotërojë diplomë të nivelit Master Shkencor (ose të barazvlefshme), në Shkenca Juridike/ Politike/ Komunikimi/ Gjuhë të huaja. Diploma e nivelit Bachelor, duhet të jetë e të njëjtës fushë;
  • Të ketë jo më pak se 1 (një) vit, eksperiencë pune në profesion;
  • Të ketë aftësi të mira profesionale, organizative, etikë të lartë, komunikimi dhe të punës në grup.

I.3. Kandidati duhet të paraqesë zyrtarisht, brenda datës 20.03.2022, me postë në adresën Këshilli i Lartë Gjyqësor, Adresa; Rruga: “Ana Komnena”, godina Poli i Drejtësisë, Tiranë, ose elektronikisht në adresën e email: burimenjerezore@klgj.al, kopje të dokumenteve të mëposhtëm:

  • Kërkesë motivimi për aplikim në vendin e punës që konkurron;
  • Jetëshkrim i plotësuar në përputhje me dokumentin tip që e gjeni në linkun: http://www.dap.gov.al/legjislacioni/udhezime-manuale/60-jeteshkrimi-standard
  • Fotokopje të diplomës dhe listës së notave (për diplomat jashtë vendit, të përcillet njehsimi nga MAS);
  • Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  • Dokument për kategorinë në shërbimin civil (kategoria ekzekutive, me dokument nga institucioni);
  • Dokument që nuk ka masë disiplinore në fuqi, (dokument nga institucioni);
  • Vlerësimin e fundit të rezultateve në punë;
  • Fotokopje të çertifikatave të kualifikimit (nëse ka);
  • Vetëdeklarim për vërtetimin e gjendjes gjyqësore, sipas linkut https://www.drejtesia.gov.al/wp-content/uploads/2018/10/formulari-i-vetdeklarimit_gjendja-gjyqesore.pdf
  • Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  • Dokumentacion tjetër, mbi trajnimet, kualifikimet (nëse ka);
  • Dëshmi të njohurive të gjuhës së huaj (nëse ka);
  • Fotokopje e kartës së identitetit/pasaport;
  • Kontaktet (numër telefoni dhe adresë email) dhe adresën e plotë të vendqëndrimit.

Mosparaqitja e plotë e dokumenteve të sipërcituara, sjell skualifikimin e kandidatit.

I.4. Konkurimi është i hapur për nëpunësit civil të të njëjtës kategori me procedurat e lëvizjes paralele dhe do të zhvillohet në dy faza;

I.4.1. Verifikimi paraprak, i përmbushjes së kushteve minimale dhe kërkesave të veçanta në shpalljen për konkurim, për procedurën e lëvizjes paralele, do të kryhet brenda datës 23.03.2022, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, dhe brenda ditës do të shpallet lista e kandidatëve që plotësojnë kushtet për lëvizjen paralele dhe kërkesat e veçanta në shpalljen për konkurim.

(Në të njëjtën datë kandidatët që nuk i plotësojnë kushtet e lëvizjes paralele dhe kriteret e veçanta do të njoftohen individualisht nga njësia e përgjegjëse e burimeve njerëzore, për shkaqet e moskualifikimit (nëpërmjet adresës së e-mail-it).

 I.4.2. Intervista e strukturuar me gojë, me kandidatët fitues të fazës së parë, do të zhvillohet më datë 31.03.2022, ora 11.00, pranë ambienteve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

I.4.3. -Fusha e njohurive, aftësitë dhe cilësitë që do të vlerësohen në intervistë janë;

  • Ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 96/2016 “ Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të RSH”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 152/2013 “ Për nëpunësit civil”, i ndryshuar dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, i ndryshuar;
  • Ligjin 44/2015 Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”;
  • Ligjin nr. 9131, datë 08.09.2003 “ Për rregullat etike në administratën publike”;
  • Ligjin nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”;
  • Ligjin nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, i ndryshuar.

 I.4.4. Vlerësimi i kandidatëve do të bëhet sipas kërkesave të VKM nr. 243, datë 18.3.2015 “Për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, Kreu VII, pika 18 dhe 19 dhe Udhëzimit nr. 2, datë 27.3.2015, “Për procesin e plotësimit të vendeve të lira në shërbimin civil nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele dhe për pranimin në shërbimin civil, në kategorinë ekzekutive nëpërmjet konkurimit të hapur” të DAP-it, ku në fillim do të vlerësohet për dokumentacionin e dorëzuar, më pas do të vlerësohet intervista e strukturuar me gojë.

I.5. Data e daljes së rezultateve do të njoftohet në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe portalin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

I.6. Njoftimi dhe komunikimi me kandidatët do të jetë nëpërmjet telefonit dhe adresës së e-mail të kandidatit.

  

II. KONKURIMI, NËPËRMJET PROCEDURËS SË PRANIMIT NË SHËRBIMIN CIVIL.

(Vetëm në rast se pozicioni i lirë i shpallur, në përfundim të procedurës së lëvizjes paralele, nuk është plotësuar, pra rezulton i lirë, atëhere ai është i vlefshëm për konkurimin nëpërmjet procedurës së pranimit në shërbimin civil. Këtë informacion do ta merrni në faqen zyrtare të internetit, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke filluar nga data 12.04.2022).

 II.1. Kushtet e përgjithshme, kandidati duhet të plotësojë të gjitha kërkesat e përgjithshme për pranimin në shërbimin civil, sipas nenit 21, të ligjit nr. 152/2013 ”Për nëpunësin civil” i ndryshuar.

  • Të jetë shtetas shqiptar.
  • Të ketë zotësi për të vepruar.
  • Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur.
  • Të jetë në kushtet shëndetësore që lejojnë kryerjen e detyrës përkatëse.
  • Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje.
  • Të mos jetë marrë masë displinore e largimit nga shërbimi civil dhe që nuk është shuar sipas ligjit 152/2013, “Për shërbimin civil”, i ndryshuar.

 II.2. Kërkesat e veçanta, për pozicionin Specialist i Marrëdhënieve me Publikun, me Jashtë dhe Botimet, janë si më poshtë:

  • Të zotërojë diplomë të nivelit Master Shkencor (ose të barazvlefshme), në Shkenca Juridike/ Politike/ Komunikimi/ Gjuhë të huaja. Diploma e nivelit Bachelor, duhet të jetë e të njëjtës fushë;
  • Të ketë jo më pak se 1 (një) vit, eksperiencë pune në profesion;
  • Të ketë aftësi të mira profesionale, organizative, etikë të lartë, komunikimi dhe të punës në grup.

 II.3. Kandidati duhet të paraqesë zyrtarisht, brënda datës 27.03.2022, me postë në adresën Këshilli i Lartë Gjyqësor, adresa; Rruga: “Ana Komnena”, godina Poli i Drejtësisë, Tiranë, ose elektronikisht në adresën burimenjerezore@klgj.al, kopje të dokumenteve të mëposhtëm:

  • Kërkesë motivimi për aplikim në vendin e punës që konkurron;
  • Jetëshkrim i plotësuar në përputhje me dokumentin tip që e gjeni në linkun: http://www.dap.gov.al/legjislacioni/udhezime-manuale/60-jeteshkrimi-standard
  • Fotokopje të diplomës dhe listës së notave (për diplomat jashtë vendit, të përcillet njehsimi nga MAS);
  • Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  • Fotokopje të çertifikatave të kualifikimit;
  • Vetëdeklarim për vërtetimin e gjendjes gjyqësore, sipas linkut https://www.drejtesia.gov.al/wp-content/uploads/2018/10/formulari-i-vetdeklarimit_gjendja-gjyqesore.pdf
  • Vërtetim nga gjykata dhe prokuroria;
  • Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  • Dokumentacion tjetër, mbi trajnimet, kualifikimet (nëse ka);
  • Dëshmi të njohurive të gjuhës së huaj (nëse ka);
  • Fotokopje e kartës së identitetit/pasaport;
  • Kontaktet (numër telefoni dhe adresë email) dhe adresën e plotë të vendqëndrimit.

Mosparaqitja e plotë e dokumentave të listuara më sipër, sjell skualifikimin e kandidatit.

II.4. Konkurimi është i hapur për kandidatët nga jashtë shërbimit civil me të paktën 1 (një) vit eksperiencë pune në profesion, që plotësojnë kushtet e përgjithshme dhe kërkesat e veçanta për vendin e lirë.

II.4.1. Verifikimi paraprak, i përmbushjes së kushteve të përgjithshme dhe kërkesave të veçanta, në shpalljen për konkurim, për procedurën e pranimit nga jashtë shërbimit civil, do të kryhet brenda datës 12.04.2022, dhe brenda ditës do të shpallet lista e kandidatëve që plotësojnë kushtet e përgjithshme dhe kërkesat e veçanta, përcaktuar në shpallje.

II.4.2. Kandidatët që plotësojnë kushtet minimale edhe kërkesat e posaçme në shpalljen, do të marrin informacion në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe portalin e Shërbimi Kombëtar i Punësimit, duke filluar nga data 12.04.2022, për fazat e mëtejshme që i përkasin kësaj procedure konkurrimi:

  • Për verifikimin paraprak.
  • Për datë, orën dhe vendin e zhvillimit të testimit me shkrim dhe intervistës.
  • Për mënyrën e vlerësimit të kandidatëve konkurues.
  • Për datën e daljes së rezultateve.

 II.4.3. Fusha e njohurive, ku do të vlerësohen njohuritë, aftësitë dhe cilësitë janë:

II.4.3.a. Kandidatët në testimin me shkrim, do të vlerësohen në lidhje me njohuritë mbi;

  • Ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 96/2016 “ Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të RSH”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 152/2013 “ Për nëpunësit civil”, i ndryshuar dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, i ndryshuar;
  • Ligjin 44/2015 Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”;
  • Ligjin nr. 9131, datë 08.09.2003 “ Për rregullat etike në administratën publike”;
  • Ligjin nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”;
  • Ligjin nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, i ndryshuar.

II.4.3.b. Kandidatët në intervistën e strukturuar me gojë do të vlerësohen, në lidhje me njohuritë mbi; bazën ligjore të sipërcituar, si dhe njohuritë, aftësitë, kompetencat mbi përshkrimin e pozicionit të punës, përvojën në punë, motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.

II.4.4. Vlerësimi i kandidatëve do të bëhet në lidhje me:

  • Vlerësimin e testimit me shkrim, deri në 60 pikë,
  • Vlerësimi i intervistës së strukturuar me gojë, që konsiston në njohuritë, aftësitë, kompetencat për përshkrimin e pozicionit të punës, përvojën në punë motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën, deri 25 pikë,
  • Jetëshkrimin, që konsiston në arsimimin, përvojën në punë, trajnimet apo kualifikimet, të lidhura me fushën, deri 15 pikë.

Mënyra e vlerësimit do kryhet sipas VKM nr. 243, datë 18.3.2015 “Për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, i ndryshuar dhe Udhëzimit nr. 2, datë 27.3.2015, “Për procesin e plotësimit të vendeve të lira në shërbimin civil nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë, për kategorinë e mesëm dhe të ulët drejtuese dhe pranimin në shërbimin civil, në kategorinë ekzekutive nëpërmjet konkurrimit të hapur” të DAP-it.

II.5. Data e daljes së rezultateve të konkurrimit dhe mënyra e komunikimit;

II.5.1. Data e daljes së rezultateve, të gjithë kandidatët pjesëmarrës do të njihen me to duke vizituar faqen zyrtare të internetit, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe portalin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

II.5.2. Njoftimi dhe komunikimi me kandidatët do të jetë nëpërmjet telefonit dhe adresës së email të kandidatit.

II.5.3. Të gjithë kandidatët që aplikojnë për konkurrimin nëpërmjet procedurës së pranimit në shërbimin civil, do të marrin informacion në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe portalin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, duke filluar nga data 12.04.2022, për fazat e mëtejshme që i përkasin kësaj procedure konkurimi.

 

Tiranë, më datë 08.03.2022

 

Njoftim mbi rezultatet e verifikimit paraprak për lëvizje paralale në kategorinë e ekzekutive.

Bazuar në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, neni 25 dhe VKM nr. 243, datë 18.03.2015 “Për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, i ndryshuar, kreut VII, pika 9, në përfundim të verifikimit paraprak të kandidatëve, për përmbushjen e kushteve të lëvizjes paralele dhe kërkesave të veçanta të përcaktuara në shpalljen për konkurim, ju njoftojmë se për pozicionin:

  • 2 (dy) vende, në pozicionin Specialist i Marrëdhënieve me Publikun, me Jashtë dhe Botimet (kategoria ekzekutive, III-b), në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun, me Jashtë dhe Botimet, në Departamentin e Shërbimeve Juridike dhe Marrëdhënieve me Jashtë, pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.

 Procedura e lëvizjes paralele mbyllet për mungesë aplikimi dhe vendi vakant është i vlefshëm për konkurimin nëpërmjet procedurës së pranimit në shërbimin civil.

 

Tiranë, më datë 23.03.2022

 

Njoftim mbi rezultatet e verifikimit paraprak dhe vazhdimit të konkurimit sipas procedurës së pranimit në shërbim civil, për kategorinë ekzekutive.

Bazuar në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, neni 22 dhe VKM nr. 243, datë 18.3.2015 “Për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, i ndryshuar, kreu II, në përfundim të verifikimit paraprak të kandidatëve, për përmbushjen e kushteve minimale dhe kërkesave të veçanta për pranimin në shërbim civil, të përcaktuara në shpalljen për konkurim, për 2 (dy) vende, në pozicionin Specialist i Marrëdhënieve me Publikun, me Jashtë dhe Botimet (kategoria ekzekutive, III-b), në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun, me Jashtë dhe Botimet, në Departamentin e Shërbimeve Juridike dhe Marrëdhënieve me Jashtë, pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, ju njoftojmë se:

-Kandidatët e kualifikuar për të vazhduar konkurimin sipas procedurës së pranimit në shërbim civil, janë:

  1. Diana Kote,
  2. Arjona Hysaj,
  3. Genti Shaqiri,

-Testimi me shkrim, ku do të vlerësohen njohuritë në lidhje me bazën ligjore të shpallur në fazën e parë, do të zhvillohet më datë 27.04.2022, ora 10.30, pranë ambienteve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

– Njoftimi dhe komunikimi me kandidatët, për rezultatin e testimit me shkrim, për procesin e vlerësimit të jetëshkrimit dhe zhvillimit të intervistës së strukturuar me gojë, do të jetë nëpërmjet adresës së email të secilit kandidatit.

 

Tiranë, më datë 12.04.2022

 

Njoftim mbi rezultatet e verifikimit paraprak dhe vazhdimit të konkurimit sipas procedurës së pranimit në shërbim civil, për kategorinë ekzekutive, pas afatit të ankimimit.

Bazuar në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, neni 22 dhe VKM nr. 243, datë 18.3.2015 “Për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, i ndryshuar, kreu IV, pika 5 dhe pika 6, si dhe në përfundim të afatit të ankimimit pas verifikimit paraprak të kandidatëve, për përmbushjen e kushteve minimale dhe kërkesave të veçanta për pranimin nga jashtë në shërbim civil, të përcaktuara në shpalljen për konkurim, për 2 (dy) vende, në pozicionin Specialist i Marrëdhënieve me Publikun, me Jashtë dhe Botimet (kategoria ekzekutive, III-b), në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun, me Jashtë dhe Botimet, në Departamentin e Shërbimeve Juridike dhe Marrëdhënieve me Jashtë, pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, ju njoftojmë se:

– Në përfundim të procedurës së ankimimit, kandidati i kualifikuar për të vazhduar konkurimin sipas procedurës së pranimit nga jashtë shërbimit civil, është:

  1. Viktor Dimo,

-Testimi me shkrim, ku do të vlerësohen njohuritë në lidhje me bazën ligjore të shpallur në fazën e parë, do të zhvillohet më datë 27.04.2022, ora 10.30, pranë ambienteve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

– Njoftimi dhe komunikimi me kandidatët, për rezultatin e testimit me shkrim, për procesin e vlerësimit të jetëshkrimit dhe zhvillimit të intervistës së strukturuar me gojë, do të jetë nëpërmjet adresës së email të secilit kandidatit.

 

Tiranë, më datë 21.04.2022

 

Shpallje listën fituese.

Në zbatim të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil” i ndryshuar, VKM nr. 243, datë 18.3.2015 “Për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, i ndryshuar, Kreu IV, pika 14, në përfundim të konkurrimit të hapur sipas procedurës së pranimit nga jashtë shërbimit civil, për 2 (dy) pozicione Specialist i Marrëdhënieve me Publikun, me Jashtë dhe Botimet (kategoria ekzekutive, III-b), në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun, me Jashtë dhe Botimet, në Departamentin e Shërbimeve Juridike dhe Marrëdhënieve me Jashtë, pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, ju dërgojmë për publikim, listën fituese si më poshtë:

  1. Arjona Hysaj 73.80 pikë,
  2. Viktor Dimo 72.40 pikë,

 

Tiranë, më datë 29.04.2022

Back to top