Njoftim për shtyp, datë 17 Nëntor 2021
Sot, në datën 17.11.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Duke mbajtur në konsideratë, plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, Këshilli vendosi hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqtarëve, për dy pozicione të lira në fushën e të drejtës civile dhe një pozicion të lirë në fushën e të drejtës administrative.
Këshilli, pasi verifikoi përmbushjen e kritereve ligjore vendosi kualifikimin dhe lejimin për të marrë pjesë në provimin e vlerësimit profesional të kancelarit në detyrë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë, z. Shkëlzen Mulosmani.
Në kuadër të procesit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve, si dhe të ngritjes në detyrë, Këshilli vendosi miratimin e raporteve të vlerësimit për gjyqtaren znj. Rezarta Aliu, për periudhën e vlerësimit 2013-2016 dhe për vitin 2019.
Këshilli miratoi procesverbalet e disa mbledhjeve plenare dhe në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesave të ardhura prej disa gjykatave, vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme.