Njoftim për shtyp, datë 7 Tetor 2021
Sot, në datën 7.10.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Në vijim të procedurës së verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore përfshirë dhe pasurinë e figurën, të kandidatëve për pranimin në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2021-2022, profili gjyqtar, Këshilli vendosi kualifikimin e nëntë kandidatëve: znj. Alma Veizi, znj. Arxheina Shkopi, znj. Anisa Xake, z. Xhulio Doku, znj. Aurora Tusha, znj. Irma Cacaj, znj. Megi Anxhela Muhaj, znj. Teftë Xhanari dhe znj. Irida Barkaj.
Këshilli, pasi verifikoi përmbushjen e kritereve ligjore të pozicionit, pasurisë dhe figurës, vendosi kualifikimin dhe lejimin për të marrë pjesë në provimin e vlerësimit profesional për katër kancelarë në detyrë:
· Kancelares në detyrë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë, znj. Ardiana Krasniqi;
· Kancelares në detyrë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, znj. Donalda Kalemi;
· Kancelares në detyrë në Gjykatën e Apelit Gjirokastër, znj. Alma Anxhara;
· Kancelares në detyrë në Gjykatën e rrethit gjyqësor Kavajë, znj. Greta (Xoxe) Basha.
Në vijim, Këshilli vendosi përsëritjen e komandimit të gjyqtares znj. Rudina Palloj në pozicionin e “Këshilltarit ligjor” në Njësinë Mbështetëse të Komisioneve në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Gjithashtu, Këshilli vendosi përfundimin e kohëzgjatjes së komandimit të gjyqtares znj. Flojera Davidhi në pozicionin e “Këshilltarit ligjor” në Njësinë Mbështetëse të Komisioneve në Këshillin e Lartë Gjyqësor, caktimin në skemën e delegimit dhe caktimin në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Pas shqyrtimit të kërkesave të ardhura prej disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme.