Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Sot, në datë 8.10.2021, u zhvillua Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve për zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor, nga radhët e gjyqësorit, dhe anëtarit të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës

Sot, në datë 8.10.2021, u zhvillua Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve për zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor, nga radhët e gjyqësorit, dhe anëtarit të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.

Aktiviteti u hap nga Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Z. Sokol Sadushi, i cili në fjalën e tij u ndal në mënyrë të veçantë tek modeli i gjyqtarit që kupton rëndësinë e funksionit dhe që i shërben arritjes së objektivit për një gjyqësor të pavarur, të paanshëm, efektiv dhe llogaridhënës. Ndër të tjera, Z. Sadushi, theksoi se pavarësia e Këshillit të Lartë Gjyqësor, do të varet nga ata kandidatët që zgjedh Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve, përderisa shumica e Këshillit rezulton të jetë shprehje e vullnetit të trupës gjyqësore.

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve u përshëndet edhe nga Znj. Naureda Llagami, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ajo e cilësoi prezencën e saj në këtë takim në funksion të nxitjes së trupës gjyqësore për të reflektuar mbi shqetësimet e përbashkëta, arritjet, por mbi të gjitha mbi aspiratat për të ardhmen.
Gjatë fjalës së saj, Kryetarja e KLGJ-së evidentoi rëndësinë e institucionit të votës duke nënvizuar se ato gjyqtarë që do të votohen sot, do të jenë vullneti, fytyra dhe zëri i gjithë komunitetit të gjyqtarëve për vitet e ardhshme. Ata do të jenë pjesë e vendimmarrjes së Këshillit drejt konsolidimit të mëtejshëm të standardeve të drejtësisë së re.
Znj. Llagami, e përfundoi fjalën e saj duke përcjellë për audiencën mesazhin se: “Demokracia nuk është sport për spektatorë, por për aktorë, të cilët përpiqen aktivisht si për ndryshimin e vizionit që ne kemi për veten por që dhe të tjerët kanë për ne!”

Në vijim, kandidatët gjyqtarë, për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, prezantuan shkurtimisht platformat e tyre duke njohur të gjithë pjesëmarrësit me motivimin dhe vizionin e secilit.

Në përfundim të procedurës së votimit, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve, zgjodhi tre anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor, përfaqësues nga tre shkallët e gjyqësorit:

–          Z. Klodian Kurushi, nga Gjykata e Lartë;
–          Z. Ridvan Hado,       nga Gjykatat e Apeleve;
–          Znj. Irena Plaku,       nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore.

Anëtar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, u zgjodh z. Genti Dokollari.

Back to top