Këshilli i Lartë Gjyqësor, në vijim të punës për përgatitjen e hartës së re gjyqësore, organizoi një takim të Grupit Ndërinstitucional të Punës
Këshilli i Lartë Gjyqësor, në vijim të punës për përgatitjen e hartës së re gjyqësore, organizoi në datën 30 shtator 2021, një takim të Grupit Ndërinstitucional të Punës. Në takim morën pjesë përfaqësues të Këshillit të Lartë Gjyqësor, gjyqtarë nga gjykatat e të gjitha niveleve, Zëvendësministri i Drejtësisë z. Klajd Karameta, eksperti ndërkombëtar z. Jesper Wittrup, si dhe përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë që ofrojnë mbështetje teknike për KLGJ-në në këtë proces.
Një analizë e detajuar e të dhënave statistikore të përditësuara, të mbledhura nga gjykatat për vitet 2019-2020, si dhe ndikimi i tyre në hartën e re gjyqësore, u prezantua nga eksperti ndërkombëtar z. Jesper Wittrup. Anëtarët e Grupit të Punës sollën në vëmendje nevojën urgjente për një riorganizim të ri territorial të gjykatave, nisur nga problematikat që po has sistemi gjyqësor, kryesisht lidhur me rritjen e vendeve vakante në gjykata dhe rritjen e ngarkesës së punës.
Kryetari i Grupit të Punës z. Maksim Qoku, shprehu angazhimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të bashkëpunuar me Ministrinë e Drejtësisë, institucionet e sistemit të drejtësisë dhe më gjerë, si dhe me partnerët ndërkombëtarë për përfundimin sa më shpejt të hartës së re gjyqësore që synon krijimin e një sistemi gjyqësor sa më funksional, efikas dhe të aksesueshëm.
Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e Projektit “Ulja e numrit të çështjeve të prapambetura dhe përmirësimi i efikasitetit të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë” zbatuar nga Instituti i Menaxhimit Lindje-Perëndim (EWMI), financuar nga Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), si dhe Këshilli i Evropës.