Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 29 Shtator 2021

Sot, në datën 29.09.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Këshilli, pasi verifikoi përmbushjen e kritereve ligjore vendosi kualifikimin dhe lejimin për të marrë pjesë në provimin e vlerësimit profesional të kancelares në detyrë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Përmet, znj. Oriana Dervishi dhe kancelarit në detyrë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, z. Argjend Qesja.
Në vijim, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore përkatëse, si dhe me qëllim dhënien e ndihmës dhe lehtësimin e punës në Gjykatën e Lartë, Këshilli pasi verifikoi përmbushjen e kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve për këshilltar, vendosi kualifikimin dhe vijimin e procedurës për emërimin në shërbimin civil gjyqësor, të znj. Elenita Myftari dhe z. Zef Macaj.
Gjithashtu, pas verifikimit të thelluar të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit, Këshilli vendosi kualifikimin për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për vitin akademik 2020-2021, të znj. Amantja Levanaj.
Pas shqyrtimit të kërkesës së gjyqtares znj. Irida Kacerja, Këshilli vendosi komandimin e saj në skemën e delegimit dhe caktimin për të gjykuar në Gjykatën Apelit Durrës, për një afat të caktuar.
Në kuadër të mbarëvatjes së sistemit gjyqësor, Këshilli vendosi ricaktimin e tre gjyqtarëve në skemën e delegimit dhe zgjatjen e afatit të caktimit në skemën e delegimit, më konkretisht:
Znj. Igerta Hysi, në Gjykatën e Apelit Durrës;
Z. Laurent Fuçia, në Gjykatën e Apelit Vlorë;
Z. Dritan Hasani, në Gjykatën e Apelit Korçë.
Më tej, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarit z. Julian Haxhiu, si anëtar në bordin drejtues të Qendrës së Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë.
Në kuadër të procesit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve, si dhe atij të ngritjes në detyrë, Këshilli vendosi miratimin e raporteve të vlerësimit për gjyqtarët z. Sokol Pina dhe znj. Arta Duka, për periudhën e vlerësimit 2013-2016 dhe për vitin 2019, si dhe përfundimin pa vendim përfundimtar të procedurës së përshpejtuar të detyruar të vlerësimit etik dhe profesional, viti kalendarik 2019, për gjyqtaren znj. Klodiana Gjyzari.
Në përmbushje të detyrimeve ligjore si organ përgjegjës për mbarëvajtjen e marrëdhënieve të gjyqësorit me publikun, Këshilli caktoi znj. Blerona Hasa në pozicionin e gjyqtares për median në juridiksionin e Apelit Administrativ.

Back to top