Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 22 Korrik 2021

Sot, në datën 22.07.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse, Këshilli vendosi caktimin e trupës së gjyqtarëve udhëheqës për periudhën 2021-2024 si dhe caktimin e gjykatave dhe gjyqtarëve udhëheqës gjatë praktikës profesionale të kandidatëve për magjistratë të Shkollës së Magjistraturës, viti akademik 2021-2022.

Për shkak të problematikave të krijuara në organikën e gjykatës si dhe ngarkesën e çështjeve gjyqësore, Këshilli vendosi hapjen e procedurës së transferimit të përkohshëm me pëlqim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë.

Pas shqyrtimit të kërkesave për dorëheqje, Këshilli vendosi mbarimin e statusit të magjistratit për {…}, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…} dhe {…}, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}.

Për shkak të tërheqjes nga kandidimi, Këshilli vendosi përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit Durrës, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, për kandidatin z.Engert Pëllumbi, si dhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, për kandidatin z.Sokol Ibi.

Në vijim të vendimmarjes së datës 16.07.2021, Këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve të z.Asim Vokshi, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, shpallur me vendimin nr.245, datë 09.07.2020.

Në përputhje me ndryshimet ligjore përkatëse, Këshilli vendosi ndryshimin e vendimit nr.7, datë 21.12.2018 “Për miratimin e rregullave për zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të gjykatave, ndryshimin e vendimit nr.338, datë 24.09.2020 “Për caktimin e kritereve dhe procedurave për dhënien e statusit të nëpunësit civil gjyqësor, punonjësve në detyrë në gjykata”, si dhe ndryshimin e vendimit nr. 643, datë 23.12.2020 “Për miratimin e rregullave standarde për organigramën, përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive të kategorive të Gjykatës së Lartë”.

Në përfundim, në kuadër të mirëadministrimit të fondeve buxhetore, Këshilli vendosi transferimin e fondeve, nga shpenzime personeli, në shpenzime për mallra dhe shërbime të tjera, në programin buxhetor “buxheti gjyqësor” për vitin 2021.

 

 

Back to top