Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami mori pjesë në takimin e dytë konsultativ zhvilluar me përfaqësuesit e sektorit privat për të diskutuar mbi rekomandimet konkrete të këtij komuniteti mbi Planin Strategjik të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe sistemit gjyqësor për periudhën 2021 – 2023.

Sot, në datë 21 korrik 2021, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami mori pjesë në takimin e dytë konsultativ zhvilluar me përfaqësuesit e sektorit privat për të diskutuar mbi rekomandimet konkrete të këtij komuniteti mbi Planin Strategjik të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe sistemit gjyqësor për periudhën 2021 – 2023. Në këtë takim, znj. Llagami u shoqërua nga znj. Fatmira Luli, anëtare e Këshillit dhe njëkohësisht anëtare e Komisionit të Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit. Takimi u mundësua në bashkëpunim me Qendrën për Ndërmarrjet Ndërkombëtare Private (CIPE), me mbështetjen e Fondacionit Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), si pjesë e konsorciumit për fuqizimin e proceseve elektorale dhe politike, (CEPPS) në kuadër të projektit për të mbështetur krijimin e Akademisë së Transparencës SH.B.A-Shqipëri (USATA).

Gjatë fjalës së saj, Znj. Llagami theksoi se mirëpret angazhimin aktiv të sektorit privat dhe e konsideron atë si një shenjë maturie dhe përgjegjshmërie për të kontribuar në reformimin e sistemit të drejtësisë, duke parë përtej interesit imediat dhe vështirësive që lidhen me situatën aktuale të gjykatave. Gjithashtu, Znj. Llagami nuk nguroi për të nënvizuar gatishmërinë e Këshillit për të ndërvepruar me të gjithë subjektet e sistemit të drejtësisë përfshirë këtu edhe sektorin privat si “subjekte të veçanta si të drejtësisë ashtu edhe të shërbimeve të gjykatave”. Një vëmendje të veçantë në fjalën e saj, Kryetarja e KLGJ-së i kushtoi institucionalizimit dhe vazhdimësisë së komunikimit midis Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe sektorit privat, dëshmi e së cilës janë edhe këto takime konsultative. Në përfundim, znj. Llagami shprehu bindjen që përtej institucionalizimit të bashkëpunimit, është me mjaft rëndësi që t’i hapet rrugë edhe mbështetjes organizative dhe financiare të iniciativave konkrete që rezonojnë me prioritetet kryesore të sistemit gjyqësor, të tilla si: projekti i hartës së re gjyqësore, modernizimi, thjeshtëzimi dhe rritja e aksesit në shërbimet gjyqësore, sistemi i menaxhimit të çështjeve, dokumentacionit dhe arkivave, etj.

Në këtë takim, sektori privat u përfaqësua nga Këshilli Shqiptar i Agrobiznesit, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Shoqata Pro-Eksport, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, Unioni i Sipërmarrësve të Rinj, Konfindustria, etj, të cilët adresuan nevojën për rritje të transparencës dhe forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit mes KLGJ-së dhe sektorit privat.

Back to top