Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Ceremonia e nisjes zyrtarisht të detyrës së 4 (katër) anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë​

Sot, më datë 24.03.2021, me rastin e nisjes zyrtarisht të detyrës së 4 (katër) anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, të dekretuar nga Presidenti i Republikës me datë 19.03.2021, u organizua pranë kësaj gjykate ceremonia e mirëseardhjes.  Nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, në këtë aktivitet mori pjesë Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Naureda Llagami, e shoqëruar nga zëvendëskryetari Z. Maksim Qoku dhe dy anëtarët e tjerë të Këshillit, Z. Ilir Toska dhe Z. Medi Bici.
Ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të Z. Sokol Sadushi, zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë, i cili u shpreh se kjo gjykatë ndjehet e vlerësuar me ardhjen e katër kolegëve të rinj, të promovuar brenda sistemit gjyqësor, dhe kjo bazuar në parimet e integritetit, profesionalizmit dhe meritokracisë. Shtimi i radhës së gjyqtarëve profesionistë dhe me integritet synon të siguroj jo vetëm rritjen e efiçencës së kësaj gjykate, por dhe rritjen e besimin të publikut tek organet e drejtësisë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, dhe duke u ndalur tek sfidat me të cilat është përballur KLGJ-ja për bërjen funksionale të Gjykatës së Lartë, Kryetarja e KLGJ-së Znj. Llagami, theksoi se të gjithë ndihen më të përmbushur sot, si përpara publikut që kërkon drejtësi cilësore dhe pa vonesa ashtu dhe ndaj partnereve që kërkojnë përmbushje të standardeve ndërkombëtare në dhënien e kësaj drejtësie. Gjithashtu, të gjithë ndihen më pranë plotësimit të një objektivi madhor kombëtar, atij të integrimit europian të Shqipërisë, që lidhet ngushtë me funksionalizimin e kësaj gjykate.
Në fund të fjalës së saj, ndërsa uroi gjyqtarët e rinj të kësaj Gjykate në ditën e parë të fillimit të punës, Znj. Llagami falenderoi për mbështetjen dhe besimin të gjithë aktorët kryesorë të këtij procesi të rëndësishëm.

Back to top