Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 10 Dhjetor 2020

Sot në datën 10.12.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Në vijim të shqyrtimit të kandidaturave për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, Këshilli vendosi përfundimin e procedurës së përshpejtuar të vlerësimit etik dhe profesional për vitin kalendarik 2019, pa vendim përfundimtar, për shkak të tërheqjes nga kandidimi, për kandidatët znj. Elona Toro dhe znj. Etleva Temo, si dhe zbatimin e vendimit nr.93, datë 10.11.2020, të Gjykatës Administrative të Apelit dhe fillimin e procedurës së verifikimit të kritereve ligjore të kandidimit për znj. Saida Dollani, për tre pozicionet e lira në fushën e të drejtës penale, të shpallura me datë 09.07.2020.

Në funksion të plotësimit të organikës së njësive të shërbimit ligjor në gjykatat e apeleve, Këshilli vendosi emërimin e përkohshëm të tetë ndihmësve ligjorë që kanë përfunduar formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2019-2020.

Për shkak të mos paraqitjes së aplikimeve në procedurat e shpallura më herët, Këshilli vendosi rihapjen e procedurës së ngritjes në detyrë për një pozicion të lirë në Gjykatën e Apelit Korçë si dhe dy pozicione të lira në Gjykatën e Apelit Shkodër si dhe fillimin e procedurës së verifikimit të kritereve ligjore të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Apelit Vlorë, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr.545, datë 05.11.2020.

Gjithashtu, në vijim të shqyrtimit të kandidaturave për ngritjen në detyrë në gjykatat e apeleve, Këshilli vendosi verifikimin e plotësimit nga kandidatët znj. Marsela Dervishi, znj. Luveda Dardha, znj. Rezarta Aliu, znj. Lutfije Celami, znj. Irida Kacerja dhe z. Sokol Pina, të tre kritereve të kandidimit, përkatësisht në Gjykatën e Apelit Tiranë, Durrës dhe Gjirokastër, dhe vijimin e procedurës së verifikimit për kriteret e tjera ligjore.

Në vijim të miratimit të paketës së akteve nënligjore që mbi statusin dhe karrierën e administratës gjyqësore, Këshilli vendosi miratimin e vendimit për lëvizjen paralele, ngritjen në detyrë dhe pranimin në shërbimin civil gjyqësor.

Pas shqyrtimit të kërkesës për dorëheqje nga detyra, Këshilli vendosi mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor {…}, {…}.

Në përfundim të shqyrtimit në seancë dëgjimore publike të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për fillimin e procedimit disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi në mënyrë unanime pranimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për masën disiplinore shkarkim nga detyra.

 

Back to top