Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 16 Prill 2020,

Sot, në datën 16.04.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në respekt të plotë të detyrimeve të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për shmangien e përhapjes së virusit COVID-19, duke e realizuar përmes platformës elektronike “Microsoft Teams”, tashmë e aksesueshme drejtpërdrejt edhe nga mediat.

 

Mbledhja nisi me ngritjen e Komisionit të Përkohshëm për hartimin, propozimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të një plani masash për ushtrimin e veprimtarisë së shërbimeve gjyqësore në mënyrën më të sigurtë të mundshme gjatë kohëzgjatjes së epidemisë së shkaktuar nga virusi Covid-19. Pas shortit, anëtarë të këtij Komisioni u zgjodhën, znj. Naureda Llagami, në cilësinë e kryetares, z. Medi Bici, znj. Brunilda Kadi, znj. Marçela Shehu dhe z. Erjon Muharremaj.

 

Gjithashtu, Këshilli caktoi në pozicion, në mënyrë të përhershme, pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të dy gjyqtarëve, përkatësisht znj. Miliana Muça dhe z. Klodian Kurushi.

 

Nisur nga situata në të cilën ndodhet vendi si pasojë e pandemisë Covid-19, reflektuar kjo në ndërprerjen e pothuajse të gjithë jetës shoqërore në vend, përfshi dhe aktivitetet e  ndryshme profesionale, Këshilli me propozimin e Komisionit të Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit, vendosi të bëjë disa ndryshime në buxhetin e KLGJ-së për vitin 2020 me qëllim që këto fonde t’i vihen në dispozicion Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për përballimin e epidemisë Covid-19.

 

Në vijim të mbledhjes, Këshilli miratoi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ato ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme, duke mundësuar zhvillimin e seancave gjyqësore, në disa prej gjykatave të vendit, brenda afateve ligjore.

 

Në përfundim të mbledhjes, Këshilli diskutoi rreth shkresës së ardhur nga Presidenti i Republikës, në lidhje me situatën në Gjykatën e Lartë. Pas diskutimeve, Këshilli vendosi të ngarkoi Komisionin e Zhvillimit të Karrierës për trajtimin dhe vlerësimin e kësaj shkrese.

Back to top