Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 26 Shkurt 2020

Sot me datë 26.02.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime të rëndësishme me qëllim funksionalizimin e plotë dhe rifreskimin me energji të reja të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe asaj të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas një pune voluminoze pothuajse 1 vjeçare në draftimin dhe miratimin e një sërë aktesh nënligjore ka plotësuar kuadrin normativ lidhur me proçesin e verifikimit të pasurisë dhe figurës edhe për kandidatët për në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve. Me miratimin e aktit të fundit nënligjor të ngritjes në detyrë të gjyqtarëve është plotësuar tërësisht kuadri ligjor, në zbatim të të cilit bëhet e mundur ndjekja e proçedurave për ngritjen në detyrë të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatat e Posaçme.

Në zbatim te detyrimeve kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor, vendosi hapjen e proçedurës se ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve për 6 pozicione të lira, 3 në fushën e të drejtës administrative dhe 3 në fushën e të drejtës civile.

Sot Këshilli miratoi vendimet për vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve z. Sokol Sadushaj, z. Ervin Pupe dhe z. Ilir Panda për në Gjykatën e Lartë që vijnë nga radhët e juristëve të spikatur, përkatësisht në fushat e të drejtës administrative, civile dhe penale. Zhvillimi i intervistës së kandidatëve të mësipërm dhe miratimi i vlerësimit dhe pikëzimit përfundimtar të tyre, do të kryhet ditën e nesërme, datë 27.02.2020.

Këshilli i Lartë Gjyqësor është angazhuar që të trajtojë me seriozitet dhe përgjegjësi çdo element të proçesit, deri në përzgjedhjen e kandidatëve për propozim për emërim tek Presidenti i Republikës. Brenda 10 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Keshillit të Lartë Gjyqësor, Presidenti i Republikës duhet të emërojë kandidatin e propozuar nga Këshilli. Nëse Presidenti refuzon emërimin, atëherë dekreti i refuzimit të kandidaturës përkatëse i kthehet Këshillit të Lartë Gjyqësor që me shumicë votash, vendos rrëzimin ose rivlerësimin e kandidatit. Nëse Presidenti i Republikës nuk shprehet brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, atëherë kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën si anëtar i Gjykatës së Lartë.

 

Në vijim, Këshilli miratoi hapjen e proçedurës së ngritjes në detyrë për 5 pozicione të lira, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe 5 pozicione të lira, në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në këto kushte, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në ushtrim të përgjegjësisë për mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor i hap rrugë promovimit të gjyqtarëve më profesionistë dhe me integritet të lartë në Gjykatat e Posaçme.

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi vendimet për hapjen e proçedurës së komandimit nga radhët e gjyqtarëve për 6 pozicione inspektor, në zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për 1 pozicion pedagog i brendshëm, në Shkollën e Magjistraturës dhe 2 pozicione në administratën e Ministrisë së Drejtësisë.

 

 

Back to top