Njoftim për shtyp 5 Qershor 2019
Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mbledhjen e datës 05.06.2019, caktoi relatorët për verifikimin e kushteve dhe kritereve për secilin kandidat për gjyqtar të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2018, si dhe për kandidatët për në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës për vitin akademik 2019-2020. Përcaktimi i relatorëve për verifikimin e kushteve ligjore për kandidatët e sipërcituar u bë përmes shortit të hapur dhe transparent midis anëtarëve të KLGJ-së, z. Ilir Toska, z. Alban Toro, dhe znj. Marçela Shehu, të cilët janë pjesë e Komisionit për Zhvillimin e Karrierës.
Më tej, Këshilli bazuar ne shqetësimin e ngritur nga anëtarët në detyrë të Kolegjit Zgjedhor, si dhe ne kërkesën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, z. Gjin Gjoni,vendosi ndryshimin e vendimit nr. 52 datë 11.10.2018, të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në pikën 1 të tij, duke shfuqizuar togfjalëshin “për funksionin si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë”.
Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në kërkesat e gjykatave të ndryshme vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta.