Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 24 Prill 2019

Në kuadër të mirëfunksionimit të sistemit gjyqësor, sot më datë 24.04.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën diskutoi dhe miratoi disa vendime me rëndësi.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli shqyrtoi kërkesën e gjyqtarit Arben Zefi, për dorëheqjen nga statusi i magjistratit. Këshilli pasi dëgjoi në seancë Z. Zefi, vendosi të mos marrë në shqyrtim kërkesën e tij, deri në vendimmarrjen përfundimtare të organeve të vetingut.

Bazuar në kërkesën e Këshillit për Emërimet në Drejtësi, referuar volumit të punës që paraqet procesi i verifikimit e vlerësimit të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektor të Lartë të Drejtësisë, Këshilli vendosi përjashtimin e gjyqtarëve njëkohësit anëtarë të KED, Margarita Buhali dhe Fatri Islamaj, nga procedura e ndarjes së çështjeve me short në Gjykatat ku ato ushtojnë detyrën.

Me qëllim zgjidhjen e problematikës të inspektorëve të ish-KLD-së, si pasojë e mos krijimit në kohë të institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli ngriti Komisionin e Përkohshëm për vlerësimin e statusit individual dhe karrierën e inspektorëve të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili do të hartojë për KLGJ-në propozimet përkatëse mbështetur në profilin individual dhe dosjen personale të çdo inspektori.

Më tej anëtarët e Këshillit miratuan fillimin e procedurës së transferimit të përkohshëm dhe shpalljen e një pozicioni të lirë të përkohshëm për transferim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër dhe në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin.

Në vijim, Këshilli miratoi dhënien e opinionit mbi kandidatët që kanë aplikuar për t’u komanduar si pedagog i brendshëm, në Departamentin e Formimit Fillestar.

Gjithashtu, Këshilli vendosi mbi mbarimin e statusit të magjistratit për 5 ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë që iu ka mbaruar mandati kushtetues.

Duke vlerësuar të rëndësishme qasjen në drejtësi dhe marrëdhëniet me publikun, në përputhje me nenin 91 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Këshilli caktoi z. Erjon Muharremaj, anëtarë i KLGJ, për kryerjen e detyrave në lidhje me marrëdhëniet me publikun.

Back to top