Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për vende vakante Shkolla e Magjistraturës

Njoftohen të gjithë të interesuarit, që dëshirojnë të konkurrojnë në Shkollën e Magjistraturës, se:

Në zbatim të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe Rregullores së Brendshme të Shkollës së Magjistraturës, fillojnë regjistrimet për konkursin e pranimit për kandidat për magjistrat për vitin akademik 2019 – 2020, i cili do të zhvillohet gjatë muajit Prill 2019.

Numri i vendeve vakant për pranimin në Programin e Formimit Fillestar për vitin akademik 2019 – 2020, do të jetë 50 kandidatë për magjistratë, nga të cilët 25 profili gjyqtarë dhe 25 profili prokurorë.

Rregjistrimi i kandidatëve për magjistratë do të bëhet pranë sekretarisë shkencore të Programit të Formimit Fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës në periudhën 1 Shkurt – 28 Shkurt 2019, nga ora 9.00 – 14. 00.

Kandidati për magjistrat që regjistrohet në konkursin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës duhet të plotësojë këto kushte:

  1. ka zotësi të plotë për të vepruar;
  2. është shtetas shqiptar;
  3. ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi, me diplomë “Master i shkencave”, ose të barasvlershëm me të, sipas përcaktimeve të legjislacionit të arsimit të lartë”, referuar nenit 124 të ligjit nr. 80/2015 “ Për arsimin e lartë”. Diplomimi i tyre duhet të mbështetet në përfundimin e një programi sipas sistemit të Bolonjës 5 vjeçar, ose të jetë diplomuar si “Jurist” me një diplome universitare të fituar para përshtatjes së studimeve sipas sistemit të Bolonjës në një program 4 vjeçar, e cila është ekuivalente me një Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë, (DIND)”;
  4. ka notë mesatare të përgjithshme mbi 8 (tetë), si dhe notë mesatare mbi 8 (tetë) për grupin e lëndëve kryesore, ku përfshihen: E Drejta Civile dhe e Detyrimeve, E Drejta Penale, (Pjesa e Përgjithshme dhe Pjesa e Posaçme), Procedura Civile, Procedura Penale, E Drejta Administrative dhe e Drejta Kushtetuese. Për të diplomuarit “Jurist”, në programe në gjuhë të huaj, parashikohet një koeficient vështirësie i barabartë me 1.2, i cili do të ponterojë mesataren e tyre faktike.
  5. ka kryer, me pikët minimale të përcaktuara nga Shkolla e Magjistraturës, studimet universitare për drejtësi në një vend anëtar të Bashkimit Europian dhe ka marrë një diplomë të barasvlershme me të, sipas përcaktimeve të legjislacionit të arsimit të lartë”, e njësuar sipas rregullave për njësimin e diplomave të parashikuar me ligj:
  6. ka të paktën tre vjet përvojë profesionale aktive me kohë të plotë, pas diplomimit në ciklin e plotë të studimeve universitare, në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë, ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to, në sektorin privat ose organizatat ndërkombëtare;
  7. nuk është dënuar me vendim penal të formës së prerë;
  8. nuk është larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe nuk ka masë disiplinore në fuqi;
  9. nuk është anëtar i partive politike në kohën e kandidimit;
  10. nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990;
  11. nuk ka qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete.

Kandidati, për regjistrim, duhet të paraqesë dokumentat e mëposhtme, ose kopje të tyre të noterizuara:

  1. kërkesën për aplikim, ku përzgjedh profilin si gjyqtar e prokuror. Kërkesa plotësohet në formularin unik që shpërndahet nga Shkolla e Magjistraturës.
  2. diplomat universitare dhe pasuniversitare për studimet që ka ndjekur;
  3. Dëshmi/certifikatë të mbrojtjes së gjuhës angleze mbi bazën e testeve ndërkombëtare, të njohura nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve. Nëse individi ka fituar një diplomë universitare të një programi studimi për drejtësi, të kryer në një nga vendet e Bashkimit Europian dhe në programin mësimor të studimeve është vlerësuar edhe për gjuhën angleze, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri;
  4. jetëshkrimin;
  5. kartë identiteti;
  6. vetdeklarimi për gjendjen gjyqësore;
  7. raport mjeko – ligjor për aftësimin e tij të përgjithshëm dhe të specializuar në kuadër të kryerjes së detyrës si magjistrat;
  8. dëshmi, vërtetime dhe rekomandime nga persona dhe institucione ku kanë punuar tre vitet e fundit;
  9. rekomandim nga punëdhënësi i fundit, që vërteton se nuk është larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe nuk ka masë disiplinore në fuqi;
  10. deklaratë që vërteton se nuk është anëtar i partive politike në kohën e kandidimit;
  11. deklaratë që nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990; si dhe nuk ka qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete;
  12. librezën e punës që të vërtetojë periudhën e vjetërsisë në punë.
  13. një fotografi
  14. mandat pagese për regjistrimin në vlerën 10.000 lekë.

Konkurrenti, i cili do të aplikojë edhe për kandidat për këshilltar apo ndihmës ligjor, duhet të paraqesë dokumentat e mësipërme, ose kopje të tyre të noterizuara në dy kopje.

Brenda datës 15 mars, Shkolla e Magjistraturës, nëpërmjet një komisioni të ngritur për verifikimin e dokumentacionit të mësipërm, kryen një vlerësim paraprak, nëse kandidati përmbush kriteret e kandidimit. Shkolla ka të drejtën e verifikimit kryesisht të vërtetësisë së dokumentacionit që paraqitet nga kandidatët dhe ka të drejtë të kërkojë informacion shtesë.

Dokumentacioni me kërkesat e plotësuara nga ana juaj do të depozitohen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor për aplikantët që kanë përzgjedhur profilin e gjyqtarit dhe aplikantët që kanë plotësuar kërkesën për këshilltarë/ ndihmës ligjorë në gjykatë, si edhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për aplikantët që kanë përzgjedhur profilin për prokuror.

Konkursi i pranimit do të organizohet me shkrim në dy faza.

Faza e parë do të jetë faza seleksionuese dhe do të zhvillohet në datë 23 prill 2019. Vendi dhe ora e saktë e provimit do të njoftohet publikisht në faqen tonë zyrtare. www.magjistratura.edu.al .

Kandidatët që kualifikohen në fazën e parë, të cilët kanë mbledhur jo më pak se 60 % të pikëve,kalojnë në fazën e dytë të provimit të pranimit, në Testin Profesional.

Faza e dytë do të jetë Testi Profesional dhe do të zhvillohet më datë 25 Prill 2019. Vendi dhe ora e saktë e provimit do të njoftohet publikisht në faqen tonë zyrtare. www.magjistratura.edu.al .

Konkurrentët fitues për kandidatë për magjistratë të Testit Profesional, të renditur në 50 vendet e para, duhet të kalojnë në një testim të lidhur me shëndetin mendor dhe psikologjik.

Ky testim do të realizohet në ambjentet e Shkollës së Magjistraturës për gjatë disa ditëve, të cilat do t’u bëhen me dije kandidatëve fitues pas shpalljes së rezultateve të fazës së dytë.

Konkurrentët, në të gjitha fazat e organizimit të provimit të pranimit, duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit.

Programi i provimit të pranimit (ku do të gjeni edhe listën e lëndëve që do të shërbejnë si bazë për testimin) është publikuar në faqen e internetit të Shkollës www.magjistratura.edu.al . Programi i provimit i përgjigjet të dyja fazave të provimit: Testi i Inteligjencës, Gjuhë Shqipe, Psikologji dhe Komunikim, Legjislacioni i BE-së, Marrëdhënie Ndërkombëtare, E Drejtë e krahasuar (Parimet e përgjithshme), Histori, Etikë Profesionale, E Drejtë Kushtetuese, E Drejtë Civile dhe e Detyrimeve, Procedurë Civile, E Drejtë Penale, Procedurë Penale, E Drejtë Administrative, E Drejtë Familjare, E Drejtë Tregtare, E Drejtë e Punës.

Për më tepër informacion vizitoni faqen tonë të internetit: www.magjistratura.edu.al

ose kontaktoni me Shkollën e Magjistraturës me numër Tel: (04) 2468826 dhe në adresën e email [email protected]

Ju urojmë suksese!

Tabela

NR Gjuha Angleze

Cambridge
IELTS
TOEFL Internet – Based Test (IBT)
TOEFL Paper – Based Test (ITP)
TOEIC
GESE
APTIS
Back to top