Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për vende vakante Shkolla e Magjistraturës

Njoftohen të gjithë të interesuarit, që dëshirojnë të konkurrojnë në Shkollën e Magjistraturës, se:

Në zbatim të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr. 98/2016 “Për organet e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe Rregullores së Brendshme të Shkollës së Magjistraturës, fillojnë regjistrimet për konkursin e pranimit për vitin akademik 2019 – 2020 për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë, i cili do të zhvillohet gjatë muajit Prill 2019.

Numri i vendeve vakant për pranimin në Programin e Formimit Fillestar për vitin akademik 2019 – 2020, do të jetë 25 kandidatë për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë pranë gjykatave.

Në rast se, në përfundim të procedurës së aplikimeve për pranimin në Programin e Formimit Fillestar, nuk ka kërkesa që të plotësojnë numrin e shpallur të kandidatëve për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë, kuota prej 25 kandidatësh, do t’i shtohen kandidatëve për magjistratë, profili gjyqtar.

Rregjistrimi i kandidatëve për kandidatë për magjistratë dhe i kandidatëve për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë do të bëhet pranë sekretarisë shkencore të Programit të Formimit Fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës në periudhën 1 Shkurt – 28 Shkurt 2019, nga ora 9.00 – 14. 00.

Kandidati për këshilltar dhe ndihmës ligjor që regjistrohet në konkursin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës duhet të plotësojë sipas vendimit nr 17, dt 29.01.2019 të Këshillit të Lartë Gjyqësor

  1. këto kritere është shtetas shqiptar;
  2. ka zotësi të plotë për të vepruar;
  3. ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi, me diplomë “Master i shkencave”, ose të barasvlershëm me të, sipas përcaktimeve të legjislacionit të arsimit të lartë”, referuar nenit 124 të ligjit nr. 80/2015 “ Për arsimin e lartë”. Diplomimi i tyre duhet të mbështetet në përfundimin e një programi sipas sistemit të Bolonjës 5 vjeçar, ose të jetë diplomuar si “Jurist” me një diplome universitare të fituar para përshtatjes së studimeve sipas sistemit të Bolonjës në një program 4 vjeçar, e cila është ekuivalente me një Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë, (DIND)”;
  4. ka notë mesatare të përgjithshme mbi 7 (shtatë), si dhe notë mesatare mbi 7 (shtatë) për grupin e lëndëve kryesore, ku përfshihen: E Drejta Civile dhe e Detyrimeve, E Drejta Penale, (Pjesa e Përgjithshme dhe Pjesa e Posaçme), Procedura Civile, Procedura Penale, E Drejta Administrative dhe e Drejta Kushtetuese. Për të diplomuarit “Jurist”, në programe në gjuhë të huaj, parashikohet një koeficient vështirësie i barabartë me 1.2, i cili do të ponterojë mesataren e tyre faktike.
  5. Të mos jetë i dënuar me vendim penal të formës së prerë;
  6. Të mos ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990
  7. Të mos ketë qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete;
  8. Të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe nuk ka masë disiplinore në fuqi;
  9. Të mos jetë anëtar i partive politike në kohën e kandidimit.

Kritere të veçanta për pozicionin e Ndihmësit Ligjorë në gjykatat e apelit janë:

  1. Të ketë përvojë profesionale jo më pak se pesë vjet, duke përfshirë së paku tre vjet përvojë profesionale që lidhet me gjykatën.

Kritere të veçanta për pozicionin e Këshilltarit ligjor jomagjistrat janë:

  1. përvojë profesionale jo më pak se 10 vjet si nëpunës i lartë në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë, ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to, në sektorin privat ose organizatat ndërkombëtare;
  2. njohuri në jurisprudencën e gjykatave vendase dhe atyre ndërkombëtare;
  3. njohuri shumë të mira të paktën të një gjuhe të vendeve të Bashkimit Europian;
  4. aftësi të shkrimit dhe arsyetimit ligjor;
  5. të mos ketë masa disiplinore në fuqi në pozicionet e mëparshme;
  6. të jetë autor i artikujve dhe botimeve shkencore në fushën e jurisprudencës.

Në dosjen personale për regjistrim, kandidati për këshilltar dhe ndihmës ligjor duhet të paraqesë dokumentat e mëposhtme, ose kopje të tyre të noterizuara:

  1. kërkesën për aplikim, ku përzgjedh profilin si këshilltarë e ndihmës ligjorë. Kërkesa plotësohet në formularin unik që shpërndahet nga Shkolla e Magjistraturës.
  2. deklaratën ku të garantojë vërtetësinë e dokumentacionit që paraqet;
  3. diplomat universitare dhe pasuniversitare për studimet që ka ndjekur;
  4. jetëshkrimin;
  5. kartën e identitetit;
  6. vetdeklarimin për gjendjen gjyqësore;
  7. raport mjeko – ligjor për aftësimin e tij të përgjithshëm dhe të specializuar në kuadër të kryerjes së detyrës si këshilltar apo ndihmës ligjorë në sistemin e drejtësisë;
  8. dëshmi, vërtetime dhe rekomandime nga persona dhe institucione ku kanë punuar tre vitet e fundit;
  9. rekomandim nga punëdhënësi i fundit, që vërteton se nuk është larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe nuk ka masë disiplinore në fuqi;
  10. deklaratë që vërteton se nuk është anëtar i partive politike në kohën e kandidimit;
  11. deklaratë që nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990; si dhe nuk ka qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete;
  12. kandidatët për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë që plotësojnë kriteret, paguajnë tarifën e rregjistrimit në vlerën 10.000 lekë.

Ju bëjmë me dije se pagesa e regjistrimit është e pakthyeshme, në rast se nuk regjistroheni për arsye të mosplotësimit të kushteve të mësipërme. 

Brenda datës 1 mars 2019, Shkolla e Magjistraturës do të depozitojë pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dokumentacioni me kërkesat e plotësuara nga ana juaj.

Me vendimin Nr. 18, datë 29.1.2019 “Mbi ngritjen e Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e plotësimit të kritereve të kandidatëve për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë, që do të pranohen për të ndjekur Programin e Formimit Fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2019 – 2020”, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, është vendosur ngritja e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Plotësimit të Kritereve të Kandidatëve për Këshilltarë dhe Ndihmës Ligjorë.

Komisioni i Përkohshëm verifikon plotësimin e kritereve të kandidatëve për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë, që do të pranohen për të ndjekur Progamin e Formimit Fillestar, duke i propozuar për miratim Këshillit të Lartë Gjyqësor, brenda datës 10 mars 2019, listën përkatëse që plotësojnë kriteret, si dhe listën e atyre që nuk plotësojnë kriteret.

Brenda datës 15 mars 2019, Këshilli i Lartë Gjyqosër miraton listën përkatëse të konkurrentëve të cilët do t’i nënshtrohen provimit të pranimit.

Konkursi i pranimit do të organizohet me shkrim në dy faza.

Faza e parë do të jetë faza seleksionuese dhe do të zhvillohet në datë 23 prill 2019. Vendi dhe ora e saktë e provimit do të njoftohet publikisht në faqen tonë zyrtare. www.magjistratura.edu.al .

Kandidatët që kualifikohen në fazën e parë, të cilët kanë mbledhur jo më pak se 60 % të pikëve, kalojnë në fazën e dytë të provimit të pranimit, në Testin Profesional.

Faza e dytë do të jetë Testi Profesional dhe do të zhvillohet në datë 25 prill 2019. Vendi dhe ora e saktë e provimit do të njoftohet publikisht në faqen tonë zyrtare. www.magjistratura.edu.al .

Konkurrentët që kanë arritur jo më pak se 50 për qind të pikëve totale, kanë të drejtë të përzgjedhin profilin për kandidatë për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë, brenda vendeve vakante të shpallura.

Kandidatët fitues për këshilltarë / ndihmës ligjorë të Testit Profesional, të renditur në 25 vendet e para, duhet të kalojnë në një testim të lidhur me shëndetin mendor dhe psikologjik.

Ky testim do të realizohet në ambjentet e Shkollës së Magjistraturës për gjatë disa ditëve, të cilat do t’u bëhen me dije kandidatëve fitues pas shpalljes së rezultateve të fazës së dytë.

Në rastet kur në renditjen përfundimtare të testimit profesional ka konkurrentë mbi numrin 50, që kanë aplikuar edhe për profilin gjyqtar dhe kanë arritur të paktën 60 për qind të pikëve totale të provimit të pranimit,kuotat e planifikuara për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë mund t’i shtohen numrit të përgjithshëm prej 50 vendesh të kandidatëve për magjistratë, profili gjyqtar.

Kandidatët, në të gjitha fazat e organizimit të provimit të pranimit, duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit.

Programi i provimit të pranimit (ku do të gjeni edhe listën e lëndëve që do të shërbejnë si bazë për testimin) është publikuar në faqen e Shkollës www.magjistratura.edu.al. Programi i provimit i përgjigjet të dyja fazave të provimit: Testi i Inteligjencës, Gjuhë Shqipe, Psikologji dhe Komunikim, Legjislacioni i BE-së, Marrëdhënie Ndërkombëtare, E Drejtë e krahasuar (Parimet e përgjithshme), Histori, Etikë Profesionale, E Drejtë Kushtetuese, E Drejtë Civile dhe e Detyrimeve, Procedurë Civile, E Drejtë Penale, Procedurë Penale, E Drejtë Administrative, E Drejtë Familjare, E Drejtë Tregtare, E Drejtë e Punës.

Për më tepër informacion vizitoni faqen tonë të internetit: www.magjistratura.edu.al

ose kontaktoni me Shkollën e Magjistraturës me numër Tel: (04) 2468826 dhe në adresën e email info@magjistratura.edu.al

Ju urojmë suksese!

Back to top