Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 4 Mars 2021

Sot, në datën 04.03.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

 

Në vijim të shqyrtimit në seancë dëgjimore publike të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, mbi procedimin disiplinor në ngarkim të magjistrates {…}, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, pas shqyrtimit të kërkesës së subjektit nën procedim për dhënie kohe për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, Këshilli vendosi të caktojë seancën dëgjimore të radhës në datën 11.03.2021, ora 10.00.

 

Në përputhje me dispozitat ligjore, Këshilli vendosi miratimin e raportit vjetor të veprimtarisë së Komisionit të Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale për vitin 2020. 

 

Në kuadër të procesit të vlerësimit etik dhe profesional dhe të ngritjes në detyrë të gjyqtarëve, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së vlerësimit për gjashtë gjyqtarë, të cilët kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar.

 

Më tej, Këshilli vendosi përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit Vlorë, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, për kandidatin z. Engert Pëllumbi.

 

Gjithashtu, në funksion të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së përzgjedhjes së kandidatëve për një pozicion të shpallur.

 

Në përfundim, Këshilli vendosi skualifikimin e kandidates {…}, gjyqtare në Gjykatën e Apelit {…} dhe përjashtimin e saj nga procedurat e emërimit në Gjykatën e Lartë. 

​ 

Back to top