Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami, mirëpriti në një takim zyrtar Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sh.S.Znj. Yuri Kim
Sot, në datën 20.01.2021, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami, mirëpriti në një takim zyrtar Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sh.S.Znj. Yuri Kim.
Në këtë takim, Znj. Llagami u shoqërua nga Zëvendëskryetari i Gykatës së Lartë Z. Sokol Sadushi, Zëvendëskryetari Z. Maksim Qoku, si dhe Kryetarët e Komisioneve të Përhershme, Z. Medi Bici dhe Z. Ilir Toska. Prezent në këtë event ishin gjithashtu edhe Znj. Mikaela Meredith, Përfaqësuesja e USAID për Shqipërinë si dhe Z. Ben Rockwell, Drejtor për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.
Në emër të anëtarëve të KLGJ-së, Znj. Llagami shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer të SHBA-së për reformën në drejtësi, dhe veçanërisht kontributin e vyer të projektit “Drejtësi për të Gjithë” të USAID përgjatë rrugëtimit 2 vjeçar të Këshillit. Znj. Llagami përmendi si një fryt të sukseshëm të këtij bashkëpunimi, nënshkrimin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit për përmirësimin e efikasitetit dhe uljen e numrit të çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë, zbatimi i të cilës, ka filluar të prodhojë rezultatet e parë të prekshme për publikun. Përpos arritjeve të deritanishme të KLGJ-së, Znj. Llagami në fjalën e saj, parashtroi në mënyrë të përmbledhur edhe sfidat me të cilat është përballur Këshilli, ku padyshim një rol të rëndësishëm në superimin e të cilave kanë ofruar edhe partnerët amerikanë.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e rritjes së eficencës së Gjykatës së Lartë dhe gjykatave të apelit, miratimi i hartës së re gjyqësore etj., si garanci të pa kontestueshme për zbatimin e reformës në drejtësi.
Në përfundim të takimit, palët shprehen angazhimin maksimal për të forcuar më tej bashkëpunimin bilateral, përmes zbatimit të projekteve strategjike të cilat synojnë ofrimin e një drejtësie të shpejtë dhe pa vonesa për qytetarët.