Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp datë 23 Dhjetor 2020

Sot në datën 23.12.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Pas kryerjes së studimit të thelluar në bashkëpunim me misionet partnere EURALIUS dhe USAID, marrjes së mendimeve nga organizatat e shoqërisë civile, Këshilli, vendosi t`i propozojë Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave, llojet dhe masat e tarifave gjyqësore dhe procedurën e mbledhjes së tyre. Në hartimin dhe miratimin e këtij propozimi, Këshilli ka mbajtur parasysh progresivitetin dhe proporcionalitetin e tarifave në shkallë të ndryshme të gjykimit, garantimin e cilësisë së shërbimeve gjyqësore dhe sigurimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi.

Pas shqyrtimit të kërkesës së z. Alfred Balla për deklarimin e njohjes së statusit të këshilltarit ligjor jomagjistrat pranë Gjykatës së Lartë, Këshilli vendosi pezullimin e shqyrtimit të saj,  për shkak se kërkesa është në shqyrtim para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Me qëllim rritjen e efikasitetit të Gjykatës së Lartë në evadimin me shpejtësi të çështjeve gjyqësore të prapambetura, përshtatjen me risitë e kuadrit të ri ligjor, Këshilli vendosi miratimin e rregullave standarde për strukturën organike të kësaj gjykate.

Në vijim, Këshilli vendosi miratimin e programit të vlerësimeve etike dhe profesionale të gjyqtarëve për vitin 2021, pjesëmarrjen e gjyqtarëve në programin e formimit vazhdues pranë Shkollës së Magjistraturës, për periudhën Janar 2021 – Mars 2021, si dhe fillimin e procedurës së vlerësimit etik dhe profesional me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit të tre gjyqtarëve që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit.

Në përfundim, në zbatim të dispozitave ligjore, Këshilli vendosi caktimin e datës 8 Janar 2021 për zhvillimin e seancës dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor në ngarkim të magjistrates {…}, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}.

 

 

 

Back to top