Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 17 Shtator 2020

Sot me datë 17.09.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme. Më konkretisht:

Me qëllim hapjen rrugë procedurave të lëvizjes paralele të magjistratëve, pas një punë të rëndësishme në bashkëpunim me misionet e asistencës si dhe pas konsultimit me trupën gjyqësore, Këshilli miratoi aktin nënligjor, atë mbi kriteret dhe procedurat e lëvizjes paralele të magjistratëve.

Në kuadër të menaxhimit të fondeve buxhetore, Këshilli miratoi vendimin për rishpërndarjen e fondeve për shpenzime personeli, mbi dhënien e shtesës për vështirësi në punë për gjyqtarët e gjykatave të posaçme.

Pas shqyrtimit të kërkesave të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli vendosi rihapjen e procedurës së komandimit në zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, shpalljen e kërkesës për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve si dhe zgjatjen e afatit të komandimit të përkohshëm si inspektor të magjistrates znj. Marsela Pepi.

Gjithashtu, Këshilli miratoi vendimet për verifikimin e plotësimit të tre kritereve të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë dhe vijimin e procedurës së verifikimit për kriteret e tjera ligjore të kandidimit, për gjyqtarët znj. Etleva Temo, znj. Iliriana Olldashi, z. Sandër Simoni, z. Sokol Binaj, znj. Arbena Ahmeti, znj. Elona Toro, znj. Klodiana Gjyzari, znj. Mariana Shegani, znj. Nertina Kosova dhe z. Artur Kalaja.

Në përfundim, Këshilli vendosi caktimin e seancës dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së ILD-së për fillimin e procedimit disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}.

 

Back to top