Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 14 Shtator 2020

Sot me datë 14.09.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme. Më konkretisht:

Në funksion të plotësimit të korpusit të akteve nënligjore të autorizuara nga ligji, Këshilli miratoi rregulloren për procedimin displinor të magjistratit, organizimin dhe funksionimin e Komisionit Disiplinor dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, në një procedurë disiplinore. Kjo rregullore është ndër aktet më të rëndësishme të miratuara nga Këshilli e cila do mundësojë zhvillimin e procedimit disiplinor të magjistratit mbi baza ligjore, transparente, të paanshme, mbrojtjen e figurës dhe integritetit të magjistratit nga akuzat e pabaza si dhe informimin e publikut për akuzat e provuara ndaj tij.

Në vijim të mbledhjes Këshilli vendosi fillimin e procedurës së përshpejtuar të detyruar të vlerësimit etik dhe profesional viti kalendarik 2019, për 9 gjyqtarët që kanë plotësuar kriteret ligjore të kandidimit për ngritjen në detyrë në disa gjykata të apelit të vendit si dhe Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe atë të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në përfundim të mbledhjes, pasi u njoh me vendimin e marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Këshilli vendosi pezullimin nga detyra të magjistrates {…}, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, caktuar në skemën e delegimit në Gjykatën e Apelit {…}.

Back to top