Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 5 Korrik 2019

Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi sot më datë 05.07.2019, mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi dhe miratoi një ndër vendimet më të rëndësishme që nga momenti i konstituimit të tij, atë “Mbi kriteret e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve jo-gjyqtarë dhe procedurën e përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë”.

Krahas 101 vendimmarrjeve për çështje thelbësore që kërkonin përgjigje emergjente, për të lejuar funksionimin normal të sistemit gjyqësor në tërësi – duke filluar nga domosdoshmëria e mirëfunksionimit të gjykatave të shkallës së parë dhe atyre të apelit që ndikojnë drejtpërdrejtë në aksesin e qytetarëve në drejtësi, Keshilli i ka trajtuar me prioritet prej disa muajsh dhe çështjen e emërimit te anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Institucioni ka punuar intensivisht për hartimin e akteve të nevojshme, duke u siguruar qe hapat  e ndërmarra të jenë të kujdesshëm dhe të konsultuar gjerësisht dhe në mënyrë të vazhdueshme me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që çdo vendimmarrje t’i shërbejë zgjidhjes së situatës në këtë gjykatë, frymës së reformës dhe instalimit përfundimtar të sundimit të ligjit. Projekt-akti i miratuar sot ka trajtuar me seriozitet dhe përgjegjësi çdo element të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, duke mundësuar kritere të qarta dhe transparente, një vlerësim objektiv, si dhe një procedure  të saktë e cila garanton të drejtat e kandidatëve në këtë proces.

Ky vendim, pason aktin që KLGJ miratoi pak kohë më parë, i cili përcakton procedurën që do të ndiqet për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve për gjyqtarë, për zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve dhe për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, duke hapur kështu rrugën për nisjen e procesit të shpalljes së garës së rekrutimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve jogjyqtarë për emërimin në Gjykatën e Lartë.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli vendosi shpalljen e kërkesës për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve për komandim në Këshillin e Lartë Gjyqësor, kohëzgjatjen, kriteret dhe procedurën e komandimit, si dhe miratoi listat emërore të kandidatëve që kanë plotësuar kriteret e pranimit në Programin e Formimit Fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2019-2020, për Këshilltarë dhe Ndihmës Ligjorë. Në vijim të mbledhjes, Këshilli caktoi relatorët për verifikimin e kushteve dhe kritereve për secilin kandidat për gjyqtar të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2019. Gjithashtu, Këshilli miratoi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit, të gjyqtares Ema Gashi, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit.

Back to top