Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, e shoqëruar nga anëtarët z. Erjon Muharremaj dhe znj. Brunilda Kadi, morën pjesë në një vizitë studimore në Helsinki, Finlandë
Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, e shoqëruar nga anëtarët z. Erjon Muharremaj dhe znj. Brunilda Kadi, morën pjesë në një vizitë studimore në Helsinki, Finlandë, në datat 14-17 tetor 2019. Vizita studimore e para e këtij lloji për drejtuesit e Këshillit të Lartë Gjyqësor, kishte si qëllim njohjen me praktikat më të mira të administrimit të sistemit gjyqësor të Finlandës, në kuadër të projektit norvegjez për asistencën ndaj sistemeve gjyqësore të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Delegacioni shqiptar bëri një prezantim të shkurtër mbi risitë e sistemit të vlerësimit të gjyqtarëve në Shqipëri, si dhe njohu të pranishmit me rezultatet dhe sfidat e Këshillit të Lartë Gjyqësor, në kuadër të reformës në drejtësi. Gjatë vizitës studimore u trajtuan tematika të tilla si: procesi i vlerësimit të veprimtarisë së gjykatave, eficienca e proceseve gjyqësore, përdorimi i teknologjisë së informacionit për të lehtësuar punën e gjykatave, etj.