Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Sot, më datë 22.07.2019, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të gjithë anëtarët e tij morën pjesë në ceremoninë organizuar me rastin e 3 vjetorit të miratimit të amendamenteve kushtetuese që çelën siparin e reformës në drejtësi.

Sot, më datë 22.07.2019, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të gjithë anëtarët e tij morën pjesë në ceremoninë organizuar me rastin e 3 vjetorit të miratimit të amendamenteve kushtetuese që çelën siparin e reformës në drejtësi. Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Llagami u shpreh se tre vjet më parë me ndryshimet kushtetuese filloi një proces transformimi jo vetëm i sistemit të drejtësisë por edhe i qasjes dhe thelbit të shtetit të së drejtës. Për herë të parë në Shqipëri po zbatohet një reformë tërësore e sistemit të drejtësisë e cila u realizua dhe falë mbështetjes së partnerëve tanë – Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Në përfundim të fjalës së saj, Znj. Llagami përshëndeti të gjithë gjyqtarët me integritet dhe të cilët po punojnë me përkushtim pavarësisht vështirësive. 

Në vijim fjala e plotë e Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami:

Thonë që një rrugë është e lehtë, vetëm kur nuk je në të!

Sot tre vjet më parë më 22 Korrik 2016 me ndryshimet kushtetuese filloi një proces transformimi jo vetëm i sistemit të drejtësisë por edhe i qasjes dhe thelbit të shtetit të së drejtës. Për herë të parë ndërhyrjet në përmirësimin e sistemit të drejtësisë nuk ishin thjesht një meremetim i rastit por një qasje tërësore e cila synonte të adresonte deformimet që kishte pësuar sistemi si pandëshkueshmëria, mungesa e transparencës, ndikimi politik dhe korrupsioni. Pa diskutim probleme kishin kompromentuar dhe vlerat e sistemit gjyqësor, si paanshmëria, përgjegjësia,  dhe vetë drejtësia e vendimmarrjes.

Për herë të parë në Shqipëri po zbatohet një reformë e tillë tërësore e cila u realizua falë edhe mbështetjes së partnerëve tanë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Duke mbajtur parasysh pritshmërinë për reformimin e sistemit gjyqësor, KLGJ erdhi me kompetenca dhe një mandat më të gjerë. Por këto kompetenca nuk qëndrojnë të pavarura, legjislatori ka parashikuar disa siguri institucionale të cilat së bashku me vendimmarrje te përgjegjshme që kërkohet nga ne si anëtarë të Këshillit duhet të shërbejnë si garanci konstante për të vetë-rregulluar sistemin.

Sot në këtë përvjetor jam shumë e nderuar të përfaqësoj një nga institucionet kryesore të sistemit të drejtësisë. Për herë të parë qeverisja e gjyqësorit është një bashkëqeverisje e gjyqtarëve me juristët, akademikët dhe qytetarët. Sot jam e nderuar dyfish sepse falë këtyre ndryshimeve, unë përfaqësoj edhe atë pjesë të shoqërisë civile e cila në këto gati 30 vjet ka kontribuar fuqimisht në konceptimin, mbështetjen dhe kërkesën e vazhdueshme për këtë reformë në të mirë të publikut, shoqërisë dhe veçanërisht grupimeve në nevojë dhe qytetarëve shpesh të mënjanuar apo të përjashtuar.  Duke u nisur që nga debati që i parapriu ndryshimeve kushtetuese të tre viteve më parë, si dhe përgjatë  rrugëtimit në këtë proces reformues mendoj se ishim të gjithë të vetëdijshëm që qemë nisur për një rrugë të gjatë! Sot mund të themi se kemi ecur mjaftueshëm për të mos u kthyer prapa!

Këshilli i Lartë Gjyqësor i cili u krijua vetëm 6 muaj më parë është një nga “gurët kilometrikë” të kësaj reforme, ai së bashku me Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe me institucionet e rëndësishme që do të ngrihen së shpejti si Inspektori i Lartë i Drejtësisë, strukturat e posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – pa harruar dhe plotësimin e një prioriteti madhor që është rifunksionalizimi i Gjykatës së Lartë do të “vulosin” rrugën e pakthyeshme për ngritjen e një sistemi gjyqësor të administruar në mënyrë të pavarur dhe një trupë gjyqësore me integritet, përgjegjshmëri dhe profesionalizëm!

***

Prandaj sot kemi arsye për të qenë optimistë, po aq sa edhe për të qëndruar fort edhe me këmbë në tokë!

Është e rëndësishme të reflektojmë me maturi dhe të shohim përpara por edhe të shohim pas. Ne duhet të shohim pas për të kuptuar se sa kemi ecur përpara, jo vetëm në këto tre vjet por në këto thuajse 3 dekada ndryshimi dhe shprese! Nëse shohim pas lehtësisht mund të kuptojmë se kemi investuar shumë; kemi investuar shumë jo vetëm nga vetja, njerëzit tanë; institucionet tona por edhe nga besimi i publikut dhe nga pritshmëritë e qytetarëve të cilët kërkojnë akses, transparencë – një drejtësi jo vetëm sipas gërmës së ligjit por një drejtësi që shihet dhe ndihet si e tillë!   Një drejtësi në veprim!

Ne duhet të shohim përpara për të mos ta humbur qartësinë e objektivave që i kemi vënë vetes!

Kemi nevojë më shumë se kurrë për të kthyer besimin jo vetëm të qytetarëve, por edhe të njerëzve tanë, magjistratëve dhe administratës gjyqësore. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për të kthyer besimin e gjyqtarëve dhe profesionistëve të sistemit tek drejtësia. Vetëm pak muaj më parë qindra të rinj aplikuan pranë Shkollës së Magjistraturës për tu bërë gjyqtarë,  prokurorë, këshilltare apo ndihmës ligjor. Këta të rinj janë shembulli më i mirë i besimit tek reforma në drejtësi.

***

Javën e kaluar emëruam 10 magjistratët e parë, sot do të  jemi dëshmitarë  të  një  momenti të  veçantë  në  jetën e këtyre të  rinjve atij të  betimit si magjistrat (gjyqtarë  dhe prokurorë). I falenderoj këta të rinj për besimin tek profesioni i gjyqtarit/prokurorit dhe drejtësia! Uroj që gjatë  rrugëtimit të  tyre profesional të  drejtohen gjithnjë  dhe kurdoherë  nga parimet kushtetuese, legjislacioni në fuqi dhe te respektojnë standardet më të larta profesionale dhe etike.

Dëshiroj të lexoj një paragraf të shkëputur nga libri “E drejta në Veprim”, libër i shkruar nga një prej gjyqtarëve model i ndershmërisë, integritetit profesionalizimit, që fatkeqësisht nuk jeton më: z. Bashkim Caka: “Në radhët tona ka gjyqtarë që janë vërtetë të pavarur, të ndershëm e të drejtë. Për këta populli ka shumë respekt, i nderon dhe i vlerëson, por ka për fat të keq edhe disa gjyqtarë që janë të njëanshëm sepse ndikohen nga miqtë dhe shokët apo nga interesat e çastit. Te këta gjyqtarë shtetasit nuk kanë besim prandaj kërkojnë që të mos u jepen atyre për gjykim çështja e tyre. Kjo kategori gjyqtarësh nuk shquhen si në fushën profesionale ashtu edhe për sjelljet e mira në aspektin personal”. Prandaj, gjej rastin të falenderoj të gjithë gjyqtarët me integritet dhe të cilët po punojnë me përkushtim me gjithë vështirësitë!

Në 2016 menduam se do të mbërrinim shpejt – sot falë këtyre arritjeve, përgjegjësive dhe sfidave mendojmë se do të arrijmë larg!   

Faleminderit !!!

Back to top