Sot, më datë 01.10.2019, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, mori pjesë në tryezën e konsultimit me temë: “Përmirësimi i bazës së të dhënave për çështjet e dhunës në familje-mjet për parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të dhunës”.
Sot, më datë 01.10.2019, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, mori pjesë në tryezën e konsultimit me temë: “Përmirësimi i bazës së të dhënave për çështjet e dhunës në familje-mjet për parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të dhunës”. Ky aktivitet u organizua nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, me mbështetjen teknike të UNDP në kuadër të zbatimit të projektit “T’i japim fund dhunës ndaj grave në Shqipëri” 2019-2021, financuar nga Qeveria e Suedisë.
Tryeza u përshëndet gjithashtu nga ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Mira Rakacolli, ambasadorja e Suedisë në vendin tonë, zj. Elsa Håstad, si dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP Shqipëri, znj. Limya Eltayeb.
Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Llagami u shpreh se aksesi në drejtësi veçanërisht për gratë, fëmijët apo edhe të moshuarit është po aq i rëndësishëm sa në shëndetësi dhe shërbime sociale. Duke vënë theksin tek rëndësia që ka gjykata në të gjithë sistemin e mbrojtjes së grave dhe fëmijëve nga dhuna në familje, znj. Llagami tha se ka ardhur koha që institucionet të marrin më shumë përgjegjësi.
Duke i parë gjykatat si pjesë e parandalimit, edukimit, informimit dhe bashkëpunimit institucional, znj. Llagami theksoi se krijimi i një baze të dhënash nëpër gjykata, do na japë mundësinë të kuptojmë jo vetëm trendin e fenomenit, por edhe nevojat e sistemit për të adresuar këtë çështje me përparësi.
Në fund të fjalës së saj, znj. Llagami shprehu mbështetjen e saj të plotë në lidhje me nismën e propozuar, për përmirësimin e bazës së të dhënave për çështjet e dhunës në familje, me qëllim parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të dhunës.