Takim pune me delegacionin Moldav
Sot në datën 05.05.2022, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, e shoqëruar nga z. Dritan Hallunaj, Kryetar i Komisionit të Përkohshëm për Vlerësimin Etik dhe Profesional, në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve në KLGJ, priti në një takim pune një delegacion të strukturave të larta drejtuese politike dhe institucionale nga Moldavia.
Delegacioni Moldav kryesohej nga z. Sergiu Litvinenco, Ministër i Drejtësisë së Moldavisë dhe në përbërje të tij ishin përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Parlamentit, Këshillit të Lartë të Magjistraturës, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Znj. Llagami, shpjegoi hollësisht para të pranishmëve të gjithë rrugëtimin që ka ndjekur reforma në drejtësi, duke vendosur theksin te standartet ndërkombëtare që janë ndjekur për ta bërë atë të suksesshme, nënvizoi rolin e Këshillit të Lartë Gjyqësor në zbatimin e saj, si dhe bëri një përmbledhje të arritje dhe sfidave me të cilat përballet institucioni që nga momenti i konstituimit të tij.
Më pas përfaqësuesit e të dy delegacioneve diskutuan për çështje të veçanta me qëllim shkëmbimin e eksperiencave mes dy vendeve.