Njoftim për shtyp, datë 23 Shkurt 2022
Sot, në datën 23.02.2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Këshilli vendosi kualifikimin e kandidatëve fitues për këshilltarë ligjorë, në provimin e pranimit në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, viti akademik 2021 – 2022, z. Agim Korçari dhe z. Alfred Gjonpali.
Në vijim, Këshilli vendosi përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën Administrative të Apelit, për pozicionin e lirë, të shpallur me Vendimin nr. 571, datë 07.12.2021, për kandidatin z. Ramiz Lala.
Në kuadër të procesit të vlerësimit të punës së gjyqtarëve, si dhe në funksion të ngritjes në detyrë të tyre, Këshilli vendosi miratimin e raporteve për vlerësimin etik dhe profesional, me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimit), për periudhën e vlerësimit 2013 – 2016, të gjyqtares znj. Lutfije Celami dhe të gjyqtarit z. Engert Pëllumbi.
Këshilli vendosi miratimin e raporteve vjetore të veprimtarisë së Komisionit Disiplinor, të Komisionit të Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale dhe të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës për vitin 2021.
Në kuadër të administrimit dhe menaxhimit të administratës gjyqësore, pas shqyrtimit të organikës dhe problematikave të secilës gjykatë, Këshilli vendosi detajimin e numrit të punonjësve në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe të njësive shpenzuese në varësi të saj, për vitin 2022.
Gjithashtu, Këshilli vendosi detajimin e fondit të veçantë për sistemin gjyqësor dhe detajimin e tij për çdo gjykatë për funksionimin e veprimtarisë së gjykatave në të tre nivelet, për vitin 2022, si dhe transferimin e fondeve buxhetore në artikullin 230, nga Gjykata e Lartë, për administrim dhe menaxhim te KLGJ, si organ qeverisës.
Në përfundim, Këshilli vendosi ndryshimin e pjesshëm të Vendimit nr. 63, datë 17.02.2022, “Për caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ato ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme”, si dhe vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta, në gjykata të tjera.