Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 15 Shkurt 2022

Sot, në datën 15.02.2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Për arsye shëndetësore të magjistratit, Këshilli vendosi të shtyjë seancën dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…} dhe të caktojë seancën e radhës në datën 09.03.2022, ora 11:00.

Në kuadër të procesit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve, Këshilli vendosi miratimin e raporteve të vlerësimit për z. Ilir Përdeda, për periudhën e vlerësimit 2013-2016 dhe për vitin 2019 dhe për znj. Valbona Vata për periudhën e vlerësimit 2013 – 2016.

Në funksion të jetësimit të një ndër prioriteteve të tij kryesore, atij të vendosjes në funksionim të plotë të Gjykatës së Lartë, duke emëruar individë me integritet të lartë etik dhe profesional, pas përfundimit të procedurave të verifikimit për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative,  shpallur me vendimin nr. 83, datë 26.02.2020, Këshilli vendosi miratimin e renditjes së kandidatëve si më poshtë:

  1. Gentian Medja
  2. Manjola Xhaxho
  3. Klodiana Veizi; Dhimitër Lara.

Në vijim të vendimmarrjes së mësipërme, Këshilli vendosi të propozojë për emërim në Gjykatën e Lartë, në pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, të shpallur me vendimin nr. 83, datë 26.02.2020, kandidatin z. Gentian Medja, duke disponuar gjithashtu edhe për të drejtën e ankimit brenda 5 ditëve, nga dita e njoftimit të vendimit.

Pas shqyrtimit të kërkesave të ardhura prej disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme.

 

 

Back to top