Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami, prezantoi projekt propozimin e përbashkët me Ministrinë e Drejtësisë për Hartën e Re Gjyqësore, produkt dy vjeçar i grupit ndër-institucional të punës.

Sot në datën 28.12.2021, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami, prezantoi projekt propozimin e përbashkët me Ministrinë e Drejtësisë për Hartën e Re Gjyqësore, produkt dy vjeçar i grupit ndër-institucional të punës. Në këtë takim të përbashkët ishin të pranishëm anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ministri i Drejtësisë Z. Ulsi Manja, Prokurori i Përgjithshëm, Z. Olsian Çela, Drejtori i INL, përfaqësues i Ambasadës së SHBA në Tiranë Z. Ben Rockwell, Koordinatori i CEPEJ, përfaqësues i Këshillit të Evropës në Tiranë, Z. Roland Gjoni dhe Drejtori i Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit në Ministrinë e Drejtësisë Z. Besmir Beja.

Në fjalën e saj Znj. Naureda Llagami ndër të tjera u shpreh se: “Fitorja e të gjithëve është që si gjykata dhe sistemi i ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të përdoret si mjeti i fundit. Prandaj koncepti ynë është më pak gjykata më shumë cilësi!

Duke parë zgjidhjen e shpejtë dhe të drejtë të çështjeve të tyre të punës, pronës, shëndetit etj, qytetarët do të na mbështesin që kësaj reforme t’i shkojmë deri në fund!

Në mbyllje mendoj se fakti që jemi të gjithë këtu sot tregon se jemi të hapur për të diskutuar shqetësimet të cilat janë parimore, por nuk duhet të na pengojnë as të na vonojnë në gjetjen e zgjidhjeve! Marrja e përgjegjësive kërkon kurajo! Këto vendime të vështira duhet t’i marrim të gjithë bashkë, si koston sot ashtu edhe arritjet nesër!

Më pas, Ministri i Drejtësisë Z. Ulsi Manja vuri theksin se reforma në drejtësi është në fazën e konsolidimit. Nëpërmjet kësaj pakete janë krijuar mekanizma për rritjen e eficencës së gjykatave. Duke garantuar që qytetarët të marrin drejtësi,  harta e re gjyqësore është një nga instrumentet kryesore. Rishikimi i hartës është një proces i diktuar nga realiteti i sistemit gjyqësor në vend për të garantuar ruajtjen e një balance të drejtë dhe mundësinë e aksesit në drejtësi.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor Z. Maksim Qoku bëri një prezantim të detajuar të Hartës së re Gjyqësore duke theksuar se misioni i KLGJ-së është të ndërtojë, udhëheqë dhe qeverisë një sistem gjyqësor me performancë të lartë, që synon ekselencën dhe meriton besimin e publikut. Strategjia për të ardhmen është të kuptojmë dhe baraspeshojmë aksesin në drejtësi me treguesit e performancës.

Sipas kritereve dhe metodologjisë së dakordësuar nga grupi ndër-institucional i punës, Këshilli ka propozuar që:

  • 22 gjykatat e rretheve gjyqësore me juridiksion të përgjithshëm të riorganizohen në 12 gjykata,
  • 6 gjykatat administrative të shkallës së parë të riorganizohen në 2 gjykata; dhe
  • 6 gjykatat e apelit me juridiksion të përgjithshëm në 1 gjykatë të juridiksionit të përgjithshëm.

Mbeten të pandryshuara nga rishikimi i Hartës së re Gjyqësore gjykatat:

  • 1 gjykata e Apelit Administrativ
  • 1 gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
  • 1 gjykatat e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar  
  • 1 gjykata e Lartë

Për më shumë informacion ju ftojmë të lexoni informacionin në faqen e internetit të KLGJ-së:

NJË HARTË E RE GJYQËSORE –

Gjithashtu, përqasja e Ministrisë së Drejtësisë në hartimin e këtij produkti u paraqit edhe nga Drejtori i Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit në Ministrinë e Drejtësisë Z. Besmir Beja.

Takimi u përmbyll me një sesion diskutimesh ku, përfaqësues të institucioneve të ftuara në këtë takim për konsultim parashtruan këndvështrimet e tyre lidhur me konfigurimin e ri të sistemit gjyqësor.

Back to top