Njoftim për shtyp, datë 2 Qershor 2021
Sot, në datën 02.06.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Në përputhje me dispozitat ligjore, Këshilli vendosi caktimin e anëtarit të Komisionit Disiplinor, z.Maksim Qoku, në cilësinë e relatorit për procedimin disiplinor nr.3/2021, të filluar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë ndaj magjistrates {…}, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}.
Në përfundim të shqyrtimit në seancë dëgjimore publike të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Apelit {…}, Këshilli vendosi pranimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, dhënien e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra të magjistratit.
Në vijim të procesit të ngritjes në detyrë si dhe plotësimit të vendeve vakante në gjykatat e apelit, Këshilli vendosi verifikimin e plotësimit të tre kritereve të kandidimit dhe vijimin e procedurës së verifikimit për kriteret e tjera ligjore për kandidatët, z.Dritan Hasani, znj.Diamela Goxha, znj.Zhaneta Pira, znj.Flojera Davidhi, znj.Tereza Merkaj, znj.Atalanta Zeqiraj dhe fillimin e procedurave të përzgjedhjes për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Apelit Durrës dhe Gjykatën e Apelit Tiranë për dy pozicione të lira përkatësisht për secilën gjykatë.
Pas shqyrtimit të kërkesës për daljen në pension të parakohshëm të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor {…} z. {…} , Këshilli vendosi mospranimin e saj.
Më tej, Këshilli vendosi hapjen e procedurës së transferimit të përkohshëm për një pozicion të lirë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës dhe dy pozicione të lira në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë.
Pas shqyrtimit të kërkesës së gjyqtarit z.Erjon Bani, Këshilli vendosi komandimin e tij në Skemën e Delegimit dhe caktimin për të gjykuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në kuadër të procesit të vlerësimit etiko profesional të gjyqtarëve si dhe atij të ngritjes në detyrë, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së përshpejtuar të vlerësimit etik dhe profesional viti kalendarik 2019, për gjyqtarët që kanë plotësuar kriteret ligjore të kandidimit për ngritje në detyrë dhe që kanë ushtruar detyrën e ndihmësmagjistratit në Gjykatën e Lartë.
Pas shqyrtimit të kërkesës së gjyqtares znj.Maela Alicanaj, Këshilli vendosi përfshirjen e saj në procedurat e komandimit pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesave të disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ato ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.