Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Takimi i Nivelit të Lartë: “Prezantimi i Strategjisë Kombëtare të Uljes së Numrit të Çështjeve të Prapambetura në Gjykata (2024-2027)”

Sot, në datën 20.05.2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Takimin e Nivelit të Lartë me temë “Prezantimi i Strategjisë Kombëtare të Uljes së Numrit të Çështjeve të Prapambetura në Gjykata (2024-2027)”. Ky takim u organizua në bashkëpunim me Projektin “Ulja e numrit të çështjeve të prapambetura dhe përmirësimi i efikasitetit në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë”, zbatuar nga Instituti i Menaxhimit Lindje – Perëndim (EWMI), me mbështetjen e Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Ligjzbatimit, Departamenti Amerikan i Shtetit (INL).

Të pranishëm ishin znj. Naureda Llagami, Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. David Wisner, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SH.B.A, znj. Giulia Re, Drejtuese e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, z. Ulsi Manja, Ministri i Drejtësisë, si dhe znj. Klotilda Bushka, Kryetare e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të cilët shprehën njëzëri mbështetjen për miratimin e strategjisë dhe zbatimin me efikasitet të saj, me qëllim dhënien e rezultateve të pritshme për publikun.

Në fjalën e saj, znj. Naureda Llagami, u shpreh se në vazhdën e inciativave konkrete, sot KLGJ-ja vjen me një produkt, i cili adreson për herë të parë, në mënyrë strategjike, multi-dimensionale dhe tërësore një problematike që prek thelbin e shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut. Për këtë arsye, znj. Llagami, i bëri thirrje për bashkëpunim çdo gjyqtari por edhe të gjitha pushteteve, Qeverisë dhe Kuvendit, për t’i dhënë sistemit atë që i premtuam popullit me reformën në drejtësi, jo vetëm besimin dhe pavarësinë por edhe mbështetjen buxhetore, infrastrukturore dhe ligjore.

Në pjesën e dytë të takimit, z. Ilir Rusi, Zëvendëskryetari i KLGJ-së dhe njëkohësisht Kryetari i Grupit të Punës për hartimin e strategjisë, së bashku me z. Ardian Dvorani, Zëvendëskryetari i Gjykatës Administrative të Apelit dhe anëtar i Grupit të Punës, prezantuan në mënyrë më të hollësishme setin e masave për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura dhe parandalimin e krijimit të tyre në të ardhmen.

Takimi u mbyll me një sesion diskutimesh, ku pjesëmarrësit ndanë mendimet e tyre mbi sfidat për zbatimin praktik të Strategjisë Kombëtare të Uljes së Numrit të Çështjeve të Prapambetura në Gjykata 2024-2027.

Back to top